Kriza institucionale që ka përfshirë Kosovën solli në panelin e Top Channel në Kosovë, politikanë nga LDK-ja dhe PDK-ja për të shprehur mendimet e tyre mbi situatën e krijuar pas largimit të LDK-së nga qeveria e formuar me PDK-në.
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe një ndër figurat më të hershme të LDK-së, Bujar Bukoshi, u shpreh se e gjithë kjo situatë është krijuar si pasojë e krizës së brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij ndodhet në një krizë të thellë.
“Kjo krizë është rrjedhojë e gjendjes së partisë në këto momente. Partia jonë është në krizë. Shikoj këto zhvillime me trishtim, por kam bindje dhe një optimizëm se do të veprohet që të menaxhohet kjo krizë brenda LDK. Përgjegjësia për të gjithë këtë situata bie mbi lidershipin e LDK duke nisur nga kryetari e duke vazhduar me radhë në hierarki”, tha zoti Bukoshi.
Ndërkohë për nën/kryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri kriza institucionale ka ardhur pas vendimti të Gjykatës Kushtetuese e cila u shpreh për papajtueshmëri me Kushtetutën në postin e mbajtur nga Sejdiu.
“Krizën e ka shkaktuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që ka qënë jo e duhur dhe jo i argumentuar sa duhet. Thyerja e marrëveshjes së brendshme mes LDK dhe PDK solli krizën. Edhe procesi zgjedhor i LDK ka qënë guri themelor që ka vulosur këtë krizë. Kosova vërtet është në një krizë institucionale që duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës. Në Kosovë ka ardhur koha për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, deklaroi nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri.
Në të njëjtën linjë me argumentimin e zotit Haziri u shpreh edhe përfaqësuesi i PDK, Fatmir Limaj. Por zoti Limaj vlerësoi përiudhën e bashkëpunimit dhe të bashkëqeverisjes mes LDK si të suksesshme institucionalisht, pavarësisht marrëdhënieve personale mes 2 lidërve.
“Kriza kulmoi me vendimin e gjykatës dhe si pasojë e këtij vendimi erdhëm tek kjo e fundit. Kemi qenë një kualicion, ka qenë një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë, flas instuticionalisht jo mes lidërve të partive politike. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese krijohen kushte për zgjedhje të parakohëshme dhe ne arritëm në konkluzionin që të mbahen më 13 shkurt. Kosova tani është futur në një krizë institucionale”, deklaroi Fatmir Limaj.
Top Channel