Ndonëse grupi punues për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet i kishte dhënë afat vetes që të bëjë ndryshimet e nevojshme të këtij ligji deri më 15 nëntor, kjo gjë po bëhet më shpejtë sesa ishte parashikuar.

Kryesuesja e këtij grupi dhe njëherësh shefe e KQZ-së, Valdete Daka ka paralajmëruar se këtë të premte do të përfundojnë ndryshimet e ligjit zgjedhor, për ta dërguar atë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

“Ne kemi rënë dakord që këtë të premte ta përfundojmë punën rreth bisedimeve, rreth ndryshimeve eventuale dhe atë ditë besoj që do të votohet lidhur me ato ndryshime, ku ka konsensus në tërë grupin punues, pastaj do të shkojmë me draftimin e parë”, ka deklaruar Daka.

Po gjatë së premtes pritet të qartësohet përfundimisht nga subjektet politike nëse qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë të drejtën për të votuar në zgjedhjet që mbahen në shtetin e ri.

Përfaqësuesi i LDD-së, Ilir Fetahu kërkoi që një gjë e tillë t’iu mundësohet qytetarëve në ato shtete ku jetojnë, e ku Kosova ka konsoliduar ambasadat. Kurse AKR kërkoi që kjo e drejtë kushtetuese të merret parasysh.

Ndërsa përfaqësuesi i AAK-së në këtë grup, Blerim Shala kërkoi që të veprohet sipas Planit të Ahtisaarit, ku përmes një mekanizmi relevant ndërkombëtar të vëzhgohen dhe çertifikohen zgjedhjet.

Megjithatë, pritet që të premten subjektet politike të arrijnë të bien dakord, në mënyrë që problemet nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar të mos përseriten në zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel