Holanda: Mbështetje për vizat e integrimin

20/10/2010 19:25

Me ftesë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë kryetari i Senatit të Vendeve të Ulta, Rëne Van Der Linden.

Zoti Van Der Linden e njeh mirë Shqipërinë edhe si raportues dikur i Këshillit të Europës. Në takimin me kryetaren Topalli ai vuri në dukje përparimin e jashtëzakonshëm, sipas tij, të Shqipërisë në vitet e fundit.

Sipas tij, Vendet e Ulta mbështesin procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë si edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, Topalli shprehu garancinë e plotë se qytetarët shqiptarë do të përmbushin detyrimet që rrjedhin pas procesit të liberalizimit të vizave.

Ajo tha gjithashtu se Parlamenti ka punuar shumë muajt e fundit, duke miratuar ligje shumë të rëndësishme në përmbushje të të gjitha kushteve për procesin e liberalizimit të vizave.

Kryetari i Senatit të Vendeve të Ulta u prit edhe nga presidenti i Republikës, Bamir Topi. Pasi shprehu mbështetjen pa rezerva për aspiratat integruese të Shqipërisë, zoti Van Der Linden theksoi se anëtarësimi i saj në BE do të mundësohet dhe përshpejtohet nga përmbushja e kritereve dhe standarteve të kërkuara, ku një rol të rëndësishëm do të luajë konsolidimi i institucioneve si dhe cilësia e tyre, shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimi i kulturës demokratike.

Kryetari i Senatit holandez ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e dekorimit me urdhërin “Nënë Tereza” të artistit konceptual holandez Jan Dibets.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA