Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e mirënjohur në Shqipëri për faktin se ishte raporterja në Parlamentin Europian për çështjen e liberalizimit të vizave, do të vijë të shtunën në Tiranë, në një vizitë të shkurtër informale.
Vizita e Fajon në Shqipëri vetëm pak ditë përpara se shqiptarët të marrin përfundimisht të drejtën e udhëtimit pa viza është mundësuar përmes ftesës që organizata për shoqërisë civile, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), i ka bërë eurodeputetes. Kjo lëvizje ka programuar paraditen e së shtunës një takim të hapur me studentë dhe shoqërinë civile, ku Tanja Fajon do të informojë më shumë në lidhje me procesin e shumëpritur për shqiptarët.
“E ftuara në këtë takim, znj. Tanja Fajon, do të prezantojë rolin kyç që procesi i liberalizimit të vizave ka në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thekson organizata EMA në njoftimin e saj për shtyp. Po kështu, gjatë këtij takimi përfaqësuesit e kësaj organizate do të prezantojnë edhe gjetjet e Raportit të Monitorimit që kjo organizatë ka kryer me rastin e finalizimit të procesit të liberalizimit të vizave. Në axhendën e këtij takimi të hapur fjala e eurodeputetes është parashikuar 20 minuta dhe më pas të pranishmit në tryezë, po kështu edhe gazetarët, do të kenë mundësi të bëjnë pyetjet e tyre në lidhje me këtë proces. Ende nuk është konfirmuar ndonjë takim i eurodeputetes Fajon me zyrtarë shqiptarë gjatë kohës që do të qëndrojë në Tiranë, por ajo që dihet lidhet me faktin se Fajon po organizon një tur rajonal, që nis sot me Kosovën dhe përfundon në Bosnjë, vend që gjithashtu pret liberalizimin e vizave në fund të muajit nëntor.
Eurodeputetja sllovene ka vizituar dhe herë të tjera Shqipërinë, po kësaj radhe pritet që vizita e saj të shoqërohet me entuziazëm të veçantë nisur edhe nga puna aktive që ajo ka bërë në Komisionin dhe Parlamentin Europian për çështjen e liberalizimit të vizave.
Por ndonëse punës së vlerësuar të Fajon, në datën 8 nëntor do të jenë ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian që do të marrin vendimin përfundimtar nëse shqiptarët dhe boshnjakët do të udhëtojnë pa viza drejt hapësirës Shengen. Por nisur nga deklaratat e përfaqësuesve të politikës shqiptare, po ashtu edhe nga qëndrimet e partnerëve europianë, më 8 nëntor nuk pritet asnjë surprizë negative për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Me marrjen e këtij vendimi, hyrja në fuqi e tij ndodh 20 ditë më pas dhe ju jep mundësinë shqiptarëve dhe boshnjakëve që në ditët e fundit të nëntorit të nisin udhëtimin pa viza në Europë.
Top Channel