“Beqja”, Alibeaj: U shkel Kushtetuta

20/10/2010 23:35

Mandati i deputetit socialist, Ilir Beqja, që do të shqyrtohet ditën e enjte në seancë nga Kuvendi i Shqipërisë mblodhi në studion e Top Show përfaqësues të mazhorancës që këmbëngulin se zoti Beqja ka shkelur Kushtetutën dhe përfaqësues të opozitës që kundërshtojnë heqjen e mandatit dhe që u shprehën se Kushtetuta është shkelur nga mazhoranca.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj këmbënguli në pretendimin e mazhorancës së deputeti Beqja ka shkelur Kushtetutën duke marrë fonde publike nga Bashkia e Durrësit pasi ishte shpallur deputet nga Komisioni Zgjedhor.

“Beqja ka marrë 14 milion lekë të reja nga Bashkia e Durrësit dhe më 21 maj të 2010 ka marrë një sasi tjetër parash po nga Bashkia e Durrësit. Zoti Beqja ka shkelur Kushtetutën duke përfituar nga fondet publike. Të paktën shqiptarët do të kuptjnë se çfarë është e moralshme ose jo në politikë se çfarë masë cilësie morali është shkelur në këtë rast”, tha deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.

Pretendimi i zotit Alibeaj u hodh poshtë nga juristi dhe anëtari i Asamblesë së PS-së, Ylli Manjani i cili akuzoi mazhorancën si shkelëse të Kushtetutës. Ai u shpreh se ligji themeltar është shkelur që në momentin kur deputetët e opozitës nuk kanë kryer betimin dhe e para që e ka shkelur Kushtetutën në këtë rast është mazhoranca.

Zoti Manjani vlerësoi se i gjithë debati zhvillohet në kontekstin politik si një kundërpërgjigje e radhës e mazhorancës ndaj opozitës pas sulmeve të kësaj të fundit për korrupsion ndaj anëtarëve të qeverisë.

“Mandati i zotit Beqja zhvillohet në një kontekst politik. Parlamenti është një institucion politik. Në konceptin kushtetues, Kushtetuta është përdhosur disa herë nga politika dhe zyrtarisht nuk është pranuar nga PD. Mazhoranca ka shkelur Kushtetutën sepse neni thotë që mandati i deputetit bie nëse nuk bëhet betimi”, tha zoti Manjani.

Anëtari i Asamblesë së PS-së e krahasoi Kushtetutën me ligjin e legalizimeve pasi sipas tij sa herë që mazhoranca bën shkelje ndaj saj ndërmerrët nisma për “korrigjim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA