Ambasadorët: Vizat me kushte

20/10/2010 19:40

8 nëntori mbetet përfundimisht dita kur do të merret vendimi për heqjen ose jo të regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen nga ministrat e Brendshëm europianë.

E propozuar në axhendën paraprake të presidencës belge që në muajin qershor, kjo datë u miratua edhe zyrtarisht në mbledhjen e sotmë të përfaqësuesve të përhershëm të 27 vendeve anëtare.

Por, për shkak të hezitimeve të njohura të disa qeverive europiane, ky proces nuk do të jetë i ngjashëm me atë të 3 vendeve të tjera të rajonit që përfituan vitin e kaluar nga liberalizimi i vizave, pasi Komisionit Europian i është kërkuar të hartojë me shkrim një mekanizëm monitorues për periudhën pas heqjes së regjimit të vizave afatshkurtra.

Kjo gjë synon dhënien e disa garancive se qytetarët shqiptarë dhe boshnjakë nuk do të kërkojnë azil, punë e qëndrim më afatgjatë se 3 muaj, gjë që do të sillte penalizim jo vetëm ndaj tyre, por ndoshta dhe ndaj vetë këtyre dy shteteve, duke rrezikuar madje deri në rivendosjen e regjimit të vizave.

E kërkuar vecanërisht nga Franca dhe Holanda, ngritja e këtij mekanizmi është mbështetur edhe nga vendet e tjera anëtare, një pjesë e mirë e të cilave kanë ndarë pasojat e abuzimit të azilkërkuesve nga Maqedonia e Serbia, pas liberalizimit të vizave me këto dy vende.

Burime diplomatike nga Brukseli rrëfyen se, pas përcaktimit zyrtar të datës 8 nëntor, gjasat për marrjen e një vendimi pozitiv janë më të mëdha, por fjala e fundit u mbetet gjithësesi ministrave të Brendshëm europianë.

Në takimin e sotëm të ambasadorëve nuk është biseduar për datën e hyrjes në fuqi të vendimit, që sic është lajmëruar më parë nga TCH, është vendosur nga sekretariati i publikimeve në fletoren zyrtare të jetë paraprakisht data 15 dhjetor.

Por, njësoj si vendimi për heqjen e vizave, edhe për datën se kur shqiptarët e pajisur me pasaporta biometrike do të lëvizin lirshëm, janë ministrat e Brendshëm europianë ata që do të vendosin në takimin e 8 nëntorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA