34-vjeçari: Vrava babanë se na la pa ngrënë

20/10/2010 00:00

E vrava babanë, sepse nuk na jepte për të ngrënë. Vetëm kaq ka deklaruar
34-vjeçari Avdi Laçi para Gjykatës së Kukësit, kur është paraqitur për
masën e sigurisë, pasi tri ditë më parë vrau me pistoletë babanë e tij
74-vjeçar, ngjarje e cila ndodhi në shtëpinë e tyre në fshatin Bardhoc.

Atë e kanë dërguar dje para trupit gjykues, ku ka pranuar akuzën për vrasjen e babait, por nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të qartë për motivet, që e kishin shtyrë të vriste të atin.

Dëshmia e Laçit

Siç ka treguar avokatja e ngarkuar për të, 34-vjeçari ka përmendur një shkak që i ka befasuar anëtarët e trupit gjykues, duke deklaruar se ka qëlluar mbi babanë, sepse nuk i jepte për të ngrënë familjes, e cila përbëhej nga nëna e moshuar, vetë ai dhe vëllai tjetër 30-vjeçar. Avokatja Aurora Guska thotë ndër të tjera, se edhe ajo ka mbetur e habitur, ashtu si edhe vetë trupi gjykues me pasivitetin dhe ngadalësinë në komunikim të 34-vjeçarit. Avokatja ka kërkuar të vizitohej nga mjekët specialistë për t’u verifikuar gjendja e tij psikike. “Më ra në sy se ishte shumë i vonuar në dhënien e përgjigjeve dhe karakterizohej nga mungesa e dëshirës pozitive, dukej se nuk ishte i motivuar të fliste”, ka thënë avokatja, duke mbrojtur klientin e tij. “Përse ndodhesh këtu”, ka pyetur gjykatësja, ndërsa 34-vjeçari ka thënë ngadalë, “sepse kam vra babën”. “E përse e ke vrarë”, ka qenë pyetja tjetër, ndërkohë që Avdi Laçi është përgjigjur, “sepse nuk na jepte të hamë”. I pyetur nëse vuante nga ndonjë sëmundje, i akuzuari ka thënë se kishte shpesh dhembje koke. Ndërsa i pyetur nëse dëshironte të shkonte në shtëpi apo të qëndronte në burg, ai ka thënë: “ju e dini”. Sidoqoftë, gjykata ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin e 34-vjeçarit dhe ai tashmë do të përballet me dy akuza, për “vrasje me dashje” dhe për “armëmbajtje pa leje”.

Lirohet vëllai

Nga ana tjetër, mësohet se vëllai tjetër i ndaluar një ditë më parë nga policia, ose i vetëdorëzuar në komisariat, është lënë i lirë. Një burim i policisë tha se vrasjen e kishte kryer vetëm një person dhe se pas mbledhjes së provave, nuk u gjet dyshim i mjaftueshëm për ta mbajtur në paraburgim. Në të vërtetë, të dy vëllezërit ishin larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas vrasjes, por kjo ka ndodhur thjesht nga frika, siç ka treguar në polici 30-vjeçari, i cili pas disa orësh në komisariat u la i lirë. Një motiv tjetër që mbetet të provohet nga hetimet e mëtejshme është një konflikt për tokën në afërsi të autostradës, që siç ka pohuar edhe Avdiu në polici, babai i ndjerë e kishte shitur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB