Partia e Hashim Thaçit tërhiqet përsa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Krerët institucionalë, presidenti në detyrë dhe kryeministri janë në konsulta të vazhdueshme me subjektet politike, me faktorin ndërkombëtar dhe me faktorë tjerë të jetës politike në Kosovë dhe çfarëdo që del do të jetë një formulë konsensuale si fryt i këtyre bisedimeve që gjithmonë mbështeten në Kushtetutë dhe Ligje”, është shprehur Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së.
Ndërkohë, zyrtarët e PDK-së thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për Kuvendin zgjedhor të partisë, i cili nuk zhvillohej që prej 5 vjetësh.
Ndërkohë, edhe LDK ishte mbledhur. Por kryetari i saj Fatmir Sejdiu, edhe pas më shumë se 5 orësh takimi me kryetarë të degëve të ndryshme të LDK-së, nuk deshi të flasë para gazetarëve.
Në anën tjetër kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli kritikoi partinë e ish-presidentit Sejdiu. Pacolli tha se, LDK-ja nuk ka vepruar në interesin shtetëror, por për interesa partiake. Për më tepër, për Pacollin nuk është aspak e rëndësishme nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme apo parakohshme.
“E vetmja rrugëdalje janë zgjedhjet. Nuk di si quhen të jashtëzakonshme apo të parakohshme, për mua nuk ka asnjë ndryshim. Ne duhet të kemi zgjedhje sa më shpejt”, tha Pacolli.
Një ditë më parë ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi kishte kërkuar konsensus nga partitë politike për dalje nga kriza institucionale.
Top Channel