Kriza institucionale në Kosovë vazhdon edhe më tej, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi në mënyrë të njëanshme të largohet nga bashkëqeverisja me PDK-në e Hashim Thaçit.

Për të gjetur zgjidhje në këtë situatë, të dielën pasdite në ndërtesën e Qeverisë kryeministri Hashim Thaçi është takuar me ambasadorët e vendëve të Quintit, dhe shefin e ICO-së, Pieter Faith.

Nga një burim qeveritar, Top Channel ka mësuar se me këtë rast kryeministri Thaçi ka marrë mbështetjen që të veprojë në bazë të Kushtetutës, në këtë rast që edhe nëse shkohet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të respektohen procedurat kushtetuese.

Menjëherë pas këtij takimi, kryeministri dhe njëherit kreu i PDK-së, Hashim Thaçi ka shkuar në seli të partisë, ku është takuar me kryesinë dhe këshillin drejtues të PDK-së.

Pas një takimi gati dy orësh PDK është shprehur kundër krijimit të një Qeverie Teknike, dhe se do të veprojnë sipas Kushtetutës.

Ndryshe, PDK kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëjë përgatitjet e zgjedhjeve. Por, Hajredin Kuçi nuk saktësoi nëse bëhet fjalë për zgjedhjet e parakohshme që presidenti në detyrë Jakup Krasniqi i ka shpallur më 13 shkurt të 2011-ës, apo zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të duhej të mbaheshin këtë vit sipas Kushtetutës. Madje, Kuçi i kërkoi KQZ-së të filloi përgatitjet për një proces zgjedhor demokratik.

Ndonëse nuk e thonë zyrtarisht, burimet e Top Channel mësojnë se PDK është duke menduar që të shkojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas këtij burimi këtë e dëshmon më së miri vendimi i Këshillit Drejtues të PDK-së që ka vendosur që të dielën e ardhshme të mbajë Kuvendin Zgjedhor, për të zgjedhur liderin e saj.

Në rast se shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme ato duhet të bëhen pasi në Kuvend kanë votuar ‘pro’ 61 deputetë në mocionin e votëbesimit, i cili mund të thirret nga vetë Kryeministri, apo edhe nga 40 deputetë. Në këtë rast, sipas Kushtetutës, nenit 82, pjesa e dytë, presidenti mund të shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë. Dhe brenda një afati prej 10 ditësh të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve që nga dita e shpalljes së tyre.

Në këtë mënyrë presidentit, në këtë rast në detyrë, i duhet të nxjerrë një dekret që shfuqizon vendimin e mëhershëm kur shpalli zgjedhjet për 13 shkurt të 2011-ës, dhe të marrë një vendim të ri.  

 

Top Channel