Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti ka deklaruar se me dorëheqjen e Fatmir Sejdiu ka posti i presidentit, në Kosovë është thelluar kriza.

Sipas Kurtit, përvec krizës politike dhe asaj ekonomike, tani vendi është zhytur edhe në krizë institucionale.

“Në Kosovë pati një krizë institucionale, që iu shtua asaj ekonomike dhe politike. Fatmir Sejdiu dha dorëheqjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e kishte përgatitur atë prej dy vjetësh”, ka pohuar Kurti.

Sipas tij, dorëheqja e Sejdiut është shumë e vonuar dhe kjo ndodh për shkak të politikës që është mbi drejtësinë.

“Në Kosovë politika ndodhet mbi drejtësinë dhe kjo është arsyeja përse gjykata vendosi që Sejdiu të shkarkohej, gjë që ai e parandaloi me dorëheqje”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se dorëheqja e Sejdiut dhe më pas largimi i LDK-së nga koalicioni qeverisës ishin dy veprime të bëra qëllimisht për të futur Kosovën në krizë para negociatave me Serbinë.

“Sejdiu u tërhoq nga pozita e tij në mënyrë që të krijohet një lloj krize për zgjedhje të parakohshme para negociatave të reja, ku do të bëhen koncesione ndaj Serbisë”, ka nënvizuar Kurti.

Më tej ai ka kritikuar edhe miratimin e strategjisë për privatizimin e PTK-së, të cilën e ka cilësuar si një grabitje që qeveria po u bën kapitaleve të shtetit, si dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e ardhshme.

“Ne kemi vendosur që protestave t’u shtojmë pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme. Do të hartojmë një listë me kandidatët për deputetë dhe do regjistrohemi në KQZ. Zemërimi i qytetarëve është më i madh se kurrë”, ka shtuar Kurti.

Top Channel