
Blloku i pallateve të reja në zonën e unazës së re në kryeqytet prej disa vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm.
Banorët thonë se që në fillim të hyrjes në apartamentet e reja, firmat e ndërtimit u siguruan ujë përmes puseve, por ky ujë nuk shërben për t’u pirë për shkak të ndotjes së madhe bakteriale.
Zgjidhja e vetme e tyre është mbushja me krahë deri tek dogana, një zonë e re ndërtimesh e cila ka përfituar rrjet të ri tubacioni uji që në 2001.
Drejtori i ujësjellës-kanalizimeve të Tiranës Sait Dollapi i ka sqaruar banorët e unazës së re se drejtoria e tij nuk merr përsipër furnizimin me bote, pasi numri i popullsisë në këtë zonë është mjaft i madh dhe me mjetet që disponon ujësjellësi nuk arrihet mbulimi i të gjitha nevojave për ujë të pijshëm.
E vetmja zgjidhje, sipas Dollapit, janë investimet për rrjetin e ri të ujësjellësit dhe lidhja e kontratave të banorëve me drejtorinë.
Mbrëmjen e së premtes, banorët e kësaj zone protestuan për mungesën e ujit të pijshëm.
Nga ana e saj, Drejtoria e Ujësjellës-kanalizimeve të Tiranës nuk ka caktuar një afat kohor deri kur do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të zonës së Unazës së Re.
Top Channel