
Tapitë e vjetra konfliktojnë fermerët elbasanas për kullotat. Kështu ka ndodhur në fshatrat Bujaras dhe Gostimë të Rrethit të Elbasanit.
Prej afro gjashtë muajsh, familjet që merren me blegtori në këto fshatra, nuk po lejohen nga bashkëfshatarët e tyre të kullosin bagëtitë në masivin pyjor dhe në kullotat komunale.
Situata e krijuar po shoqërohet me incidente mes familjeve që merren me blegtori dhe familjeve që pretendojnë se i kanë pronë private kullotat dhe pyjet e zonës.
Sipas burimeve zyrtare nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Elbasan kullotat dhe masivet pyjore, ku disa familje pretendojnë se i kanë në pronësi të tyre, rezulton se ato janë prona shtetërore.
Një hartë kadastrale për pronat e shtetit në fshatin Bujaras i është vënë në dispozicion edhe Komunës së Gjergjanit.
Problemi ka arritur në prefekturë, ku kreu i këtij institucioni, Shefqet Deliallisi, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i ka informuar familjet që nuk u lejohen bagëtitë të kullosin në masivin pyjor dhe kullotat e Gjergjanit, pasi ato janë prona të shtetit dhe ky status mbetet i pandryshuar, sepse edhe Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, edhe Ministria e Brendshme, pyjet dhe kullotat e kësaj zone i kanë përfshirë në listën e pasurive që janë në juridiksionin e qeverisë vendore të komunave të Gjergjanit dhe Gostimës.
Por, megjithëse shkresat zyrtare faktojnë të vërtetën ligjore, disa familje vazhdojnë të mos lejojnë në kullotë blegtorinë e dhjetëra familjeve të tjera nga fshati Bujaras. Tensionet dhe incidentet mes tyre janë bërë thuajse të përditshme.
Familjet tregojnë se jo rrallë u është dashur të kërkojnë ndërhyrjen e policisë për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë. Barinjtë, kur nxjerrin për kullotë bagëtitë, kërcënohen nga familjet, që pretendojnë se kullota dhe masivi pyjor është pronë private e tyre.
Shpeshherë tufave të bagëtive të blegtorëve të fshatit Bujaras u bllokohet rruga për në kullotë, ndërsa bashkëfshatarët vazhdojnë të grinden dita-ditës rreth çështjes së pronësisë së zonës që është shfrytëzuar tradicionalisht për kullotë.
Kreu i Komunës së Gostimës, Qamil Boja, shpjegon se ligji i ri i ka shndërruar këto pyje dhe kullota në varësi të komunës, pasi kanë qenë pronë shtetërore.
Por nga ana tjetër, dhjetëra banorë të zonës pretendojnë për të drejtën e pronësisë, nisur nga tapitë e vjetra, edhe pse prona në këtë zonë është e ndarë sipas Ligjit nr. 7501.
Të njëjtën gjë ka shpjeguar edhe kryetari i Komunës së Gjergjanit, Faik Gjolena.
Me gjithë përpjekjet e policive komunare apo dhe asaj të rendit, konflikti mes banorëve në fshatrat Gjergjan dhe Gostimë, mbetet i hapur dhe burim përplasjesh të vazhdueshme.
Top Channel