
Shfrytëzimi i bregut të lumit Osum në Rrethin e Beratit për nxjerrjen e inerteve ka gërryer krejtësisht tokat bujqësore në një fshat të këtij rrethi, ndërkohë që fermerët pasi kanë ngritur shumë herë këtë shqetësim, janë përplasur dje me punonjësin e firmës private çka ka bërë që të ndërhyjë edhe policia.
Janë banorët e fshatit Veterik, në Komunën Velabisht, të cilët ankohen se tashmë nuk kanë asnjë mundësi për të mbijetuar, pasi prona e vetme që kanë që është toka bujqësore po gërryet nga lumi si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të inerteve nga ana e një firme private që punon në këtë zonë.
Banorët e fshatit ankohen se ka më tepër se dy vjet që një firmë private e nxjerrjes dhe përpunimit të inerteve vepron në këtë zonë në breg të lumit Osum ku ndodhen dhe tokat e tyre.
Si pasojë e punës së vazhdueshme në çdo periudhë të vitit për nxjerrjen e inerteve, lumi ka devijuar shtrirjen e tij duke përfshirë dhe tokat e tyre bujqësore.
Alarmin e kanë dhënë prej kohësh 100 banorët e fshatit Velabisht, të cilët deklarojnë rreth katër hektarë tokë bujqësore, tashmë të përfshirë krejtësisht nga lumi.
Banorët ankohen se tokat e tyre bujqësore së bashku me të mbjellat nga dita në ditë përfshihen nga lumi, duke dalë janë përdorimit.
Për këtë problem banorët shprehen se e kanë ngritur zërin shumë herë në Komunën e Velabishtit dhe pranë Prefekturës së Beratit duke kërkuar ndalimin e punës nga firma për nxjerrjen e inerteve, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
Të irrituar dje banorët e fshatit janë konfliktuar me punonjësin e firmës private, që ka vazhduar punën me një mjet për nxjerrjen e zhavorrit.
Ata shprehen se i kërkuan punonjësit të firmës ndalimin e punës për nxjerrjen e inerteve, pasi gërryerja e lumit ka përfshirë dhe tokat bujqësore, por sipas tyre, punonjësi ka vazhduar punën.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar inspektori i policisë së zonës, i cili ka kërkuar ndihmën e uniformave blu që kanë mbërritur menjëherë në fshatin Veterik dhe kanë shoqëruar në komisariat disa banorë që janë marrë në pyetje për këtë konflikt.
Vetëm pas mbërritjes së uniformave blu në fshatin Vetrik, punonjësi i firmës së nxjerrjes së inerteve është larguar nga bregu i lumit duke ndërprerë punën.
Top Channel