Holtkemper: Statusi i vendit kandidat, proçes politik

17/10/2010 15:00

Kur mbetet më pak se një muaj nga dita kur Këshilli i Ministrave të BE-së dhe Komisioni Europian do të shqyrtojnë respektivisht çështjen e vizave dhe atë të statusit, ambasadorja gjermane në Shqipëri, deklaron se këto dy vendime janë krejt të ndarë nga njëri-tjetri.

“Në lidhje me vizat dinamika e deritanishme ka qenë pozitive. Por sa i takon statusit puna qendron pak më ndryshe. Mendoj se procesi i vlerësimit për këtë proces nuk është përmbyllur ende dhe këtu nuk do doja t’i paraprija raportit të komisionit. Por është e rëndësishme që këto rezulatate duhen ndarë qartësisht nga njëri-tjetri. Nëse në rastin e vizave kemi të bëjmë me një proces teknik, statusi është një çështje e rëndësisë të veçantë ku do na duhet që për një periudhë kohore afatgjatë të gjejmë bashkërisht bazat e bashkëjetesës tonë”, deklaron ambasadorja Holtkemper.

Zonja Holtkemper thotë se proçesi i integrimit, pavarësisht progresit, që ka bërë Shqipëria kërkon edhe frymarrje.

“Unë kam përshtypjen që për instancat përgjegjëse nga pikëpamja politike përafrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian është vërtetë një prioritet. Shqipëria posedon strukturat përkatëse lidhur me proçesin e përafrimit. Ka një Ministri Integrimi dhe po ashtu ekziston dhe vullneti politik. Mendoj se është bërë progres. Por proçese të tilla kanë nevojë për frymëmarrje. I mbetet Komisionit të përcaktojë në detaje raportin e vet në lidhje me hapat e mëtejshme”, vijoi më tej zonja Holtkemper.

Që pas zgjedhjeve të vitit të kaluar Shqipëria ndodhet në një krizë politike, e cila, sipas ambasadores nuk e ndihmon proçesin e integrimit.

“Sigurisht ka patur përpjekje ndërmjetësimi nga faktori ndërkombëtar ne, dhe unë mendoj se dy partitë kryesore kanë qenë fare afër zgjidhjes së kësaj krize. Shpresojmë që ajo do të vijë së shpejti. Megjithatë dua të  them që ndërkombëtarët mund të përzihen deri në një farë masë në çështjet e brendshme politike të Shqipërisë. Janë vetë shqiptarët ata që duhet t’i zgjidhin krizat e tyre dhe unë kam besimin se kjo do të ndodhë.  Kuptohet që gjetja dhe realizimi i strukturave funksionale demokratike është një nga kriteret kyçe për arritjen e statusit të vendit kandidat”, tha ambasadorja gjermane.

Top Channel