Feston familja e Top Media-s

17/10/2010 17:10

Një festë familjare, një festë intime, por me shumë pjesëmarrës të familjes së madhe të Top Medias për ditëlindjen e themeluesit dhe presidentit të saj, Dritan Hoxha.

Si çdo vit dhe në vazhdën e traditës së krijuar, stafi i Top Medias ka kujtuar dhe festuar ditëlindjen e Tanit, dhe po kështu edhe fillimin e sezonit të ri radioteleviziv. Një festë që përkon edhe me një përvjetor jubilar, atë të 10 vjetorit të krijimit të stacionit radiofonik Top Gold, një radio që Tani ideoi dhe e donte shumë.

Një festë e familjes së madhe të Tanit, siç e konsideroi presidentja e Top Medias, Vjollca Hoxha, për të kremtuar të gjithë bashkë vazhdimin e ëndrrës së Tanit.

“Tani, për të gjithë ne, njeriu që mendonte shpejt, shihte larg dhe kishte vullnetin që endrrat e tij të arrinte t’i kthente në realitet dhe t’i bënte të prekshme për të gjithë shqiptarët. Endrra, me të cilat mburremi jo vetem ne, bashkëpunëtorët e tij, por edhe shumë shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.Për të vazhduar ëndrrën e Tanit, për t’i dhënë një mundësi kujtdo që ka një ëndërr sado të vogël apo të madhe ta kthejë atë në realitet, sot po prezantojmë Fondacionin “Dritan Hoxha”. Tani ishte i dashuruar me ëndrrat e tij, me radion, teknologjinë, me televizionin, emisionet dhe me të rinjtë e talentuar dhe idetë e reja. Prandaj edhe Fondacioni “Dritan Hoxha” lindi si një ide për të promovuar dhe financuar projekte inovatore në fushën e kulturës dhe medias, financimin e bursave dhe edukimin e artistëve, gazetarëve dhe operatorëvë të rinj, duke kulmuar me çmimin “Dritan Hoxha” për individë të spikatur në media, art dhe kulturë”, deklaroi në fjalën e saj presidentja, Vjollca Hoxha.

Ky fondacion, që mban emrin e njeriut të apasionuar me median dhe teknologjinë e që iu dedikua ëndrrës së tij për ta bërë realitet, i kushtohet të gjithë atyre që operojnë, apo dëshirojnë të realizojne ëndrrat e tyre në fushat e medias, kulturës dhe artit.

 “Ju faleminderit të gjithëve për këtë rrugëtim të përbashkët, atyre që na kanë shoqëruar dhe juve të gjithë që na shoqëroni”, përfundoi presidentja e Top Medias, Vjollca Hoxha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA