
Ende të lirë dy prej gjashtë efektivëve të policisë rrugore, për të cilët Prokuroria e Beratit kërkoi ndalimin e tyre tri ditë më parë.
Dje është vetëdorëzuar në polici një rrugor i shpallur në kërkim, ndërkohë që dy të tjerë janë ende të lirë. Inspektor Krenar Kaceli ka shkuar dhe është paraqitur dje në Komisariatin e Beratit, ndërkohë që inspektorët Artan Shahini dhe Tofik Gozhina ende janë të lirë.
Ndërkohë, kryeprokurori i Rrethit të Beratit, Xhemal Saliaj, ka deklaruar dje se hetimet do të vazhdojnë, duke përfshirë efektivë të tjerë, mes të cilëve të tjerë rrugorë.
Kreu i Prokurorisë së Beratit pohoi për gazetën se hetimet e nisura që në muajin korrik të këtij viti dhe që përfshin sektorin e policisë rrugore do të vazhdojnë.
Ai paralajmëroi se në të ardhmen do të ketë të tjerë të proceduar penalë, nëse dokumentohet se ata kanë marrë ryshfet, ndërsa kryenin detyrën si punonjës të policisë rrugore. Kreu i organit të akuzës tha se nëse do të dokumentohen shkelje ligjore të korrupsionit nga punonjësit e policisë, të cilët ndodhen aktualisht pranë Komisariatit të Policisë së Beratit, ata do të përballen me akuza penale.
Arrestimet e dy ditëve më parë u shoqëruan me përplasje të forta mes prokurorisë dhe gjykatës së Rrethit të Beratit. Ndërsa kreu i prokurorisë së rrethit akuzoi gjykatën se kishte dekonspiruar hetimet për çështjen e rrugorëve, duke afishuar një listë me emrat e gjashtë punonjësve të policisë për të cilët do të merrej masë ndalimi, gjykata e hodhi poshtë pretendimin e ngritur nga kreu i akuzës së rrethit. Megjithatë pas shpalljes së kërkesës së prokurorisë, tre prej gjashtë të proceduarve u larguan dhe nuk mundën të ndalohen nga policia.
Mbrëmjen e së premtes u vetëdorëzuan vetëm tre, ndërkohë që tre të tjerë u shpallën në kërkim nga Policia e Beratit. Çështja çoi një grup ekspertësh të KLD-së të cilët nisën hetimet dhe zbardhjen e “skandalit” të Gjykatës së Beratit, ndonëse kjo e fundit deklaroi se tre ditë më parë nuk ishte marrë asnjë vendim për procedimin e punonjësve të policisë, ndërsa në lidhje me publikimin e listës tashmë mësohet se do të hetohet që shkelësit të vihen përpara përgjegjësisë.
Historia ka nisur tri ditë më parë kur pas hetimeve disamujore të Prokurorisë së Rrethit të Beratit, ka rezultuar se gjashtë efektivë të policisë rrugore kanë konsumuar veprën penale të mitëmarrjes. Ata akuzohen se gjatë kohës që patrullonin në rrugët kombëtare të qarkut, kanë toleruar shkelje të ndryshme të drejtuesve të automjeteve kundrejt marrjes së ryshfeteve. Ata janë filmuar duke marrë ryshfete që shkonin nga 200-1000 lekë.
Sipas kreu të akuzës së Beratit, për të mos pasur rrjedhje të informacionit në lidhje me këtë hetim, u kërkua që këto hetime të kryheshin nga oficerë të Ministrisë së Brendshme.
Pas marrjes së informacioneve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm se ishte arritur të dokumentohej se punonjësit e qarkullimit rrugor merrnin ryshfet, nisi hetimi që përfundoi disa ditë më parë. Po sipas Saliaj, menjëherë pasi u siguruan prova dhe fakte se gjashtë punonjës të qarkullimit rrugor merrnin ryshfet në kundërshtim me ligjin, çështja iu përcoll gjykatës duke u kërkuar vendosja e masës së sigurisë. Gjykata afishoi listën me emrat e gjashtë të akuzuarve në stendat e gjykatës, çka solli dhe dekonspirimin e këtij hetimi.
Top Channel