Koalicioni qeverisës PDK–LDK merr fund dhe në këtë mënyrë në Kosovë thellohet kriza institucionale.

Është Lidhja Demokratike e Kosovës që ka vendosur t’i japë fund bashkëqeverisjes me PDK-në, vetëm një ditë pasi që presidenti në detyrë Jakup Krasniqi shpalli datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 13 shkurt të vitit të ardhshëm.

Ky vendimi është marrë nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë së shtunës në mesditë, sipas të cilit ministrat që vijnë nga radhët e LDK-së të hënën do të dorëzojnë detyrat e tyre.

Kurse në aleatin qeverisës në PDK, këtë vendim e kanë konsideruar të marrë për interesa të ngushta të kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Sejdiu, në një intervistë për Top Channel ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi, që lidhen me sjelljet e PDK-së në Kuvend për çështjen e miratimit të strategjisë së qeverisë për privatizim të PTK-së.

“Në këto momente kanë ndodhur disa zhvillime që kanë dëmtuar raportet mes dy partnerëve të koalicionit. Vendimi i pardjeshëm u mor pa pasur një konsultim me LDK-në. Ishte një veprim që cënon veprimtarinë e Parlamentit me numërimet apo mosnumërimet”, ka deklaruar Sejdiu.

Nga ana tjetër, pas këtij vendimi kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i saj, Hashim Thaçi.

Vendimin e LDK-së, në PDK e cilësuan si lajm të keq për qytetarët e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë, por nuk sqaruan se cilët do të jenë hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë partia më e madhe në vend.

“Është një lajm i papritur, befasues dhe i keq për Kosovën, qytetarët e saj, si dhe për miqtë tanë ndërkombëtare, sidomos pas vizitës së zonjës Clinton. Pas këtij veprimi janë krijuar kriza institucionale në vendin tonë. PDK mendon se ky vendim është marrë për interesat e ngushta personale të kryetarit të kësaj partie”, ka deklaruar Enver Hoxhaj, sekretar i përgjithshëm i PDK-së.

Top Channel ka mësuar nga një burim brenda PDK-së se në këtë parti po përkrahet ideja e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të duhej të mbaheshin këtë vit dhe jo ajo e krijimit të ndonjë koalicioni me ndonjë parti tjetër.

Po sipas këtij burimi, ata që po e përkrahin këtë ide e vlerësojnë si mënyrën më të mirë për të dalë nga kriza institucionale, në të cilën ka hyrë Kosova.

Top Channel