
Një ditë pas takimit të Komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, Kryeministri Berisha preferoi të anashkalojë lajmin se Shqipëria rrezikon statusin e vendit kandidat.
Kryeministri, që ishte për vizitë në një panair në kryeqytet, u shpreh entuziast nga vendimi i pritshëm për heqjen e vizave.
Top Channel: Zoti Kryeministër, nga takimi i fundit që ka pasur komisioneri për zgjerimin Shtefan Fyle me ministrin e punëve të jashtme Haxhinasto, është lënë të kuptohet se Shqipëria rrezikon statusin e vendit kandidat. A e prish kjo festën e madhe që përfaqëson liberalizimi i vizave?
Berisha: Asgjë nuk e prish aktin madhor historik të shumëpritur shekuj nga shqiptarët. Ky akt është kurora më e shndritur e përpjekejeve shqiptare për integrimin në Bashkimin europian. Ata të cilët duan të mbeten zemërthyer nga ky akt, dhe sapo morën vesh se po bëhet, shpallën protestat, unë i ftoj të gëzohen.
Top Channel : Refuzimi në këto momente i statusit, a është dështim i procesit të integrimit zoti Kryeministër?
Berisha: Unë po them se vizat janë një nga arritjet më madhore në historinë e shiptarëve, që nga pavarësia e tyre.
Vendimi për heqjen e vizave pritet të merret nga ministrat e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian më datë 8 nëntor.
Një ditë më pas, Komisioni, që është organi ekzekutiv i Bashkimit Europian dhe ka ekspertizën e nevojshme teknike, pritet të bëjë publik mendimin për kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë. Pas takimit të fundit të komisionerit Fyle me ministrin Haxhinasto, burime për Top Channel pohuan se ky mendim mund të jetë negativ.
Shqipëria nuk është ende gati për marrë statusin e vendit kandidat, dhe aq më pak për të celur negociatat e anëtarësimit. Në Tiranë, qeveria, duke vënë theksin te vendimi shumë i rëndësishëm për heqjen e vizave, kërkon të sfumojë një moment akoma më të rëndësishëm, refuzimin e statusit të vendit kandidat.
Qeveria mesa duket mendon se deri në fund të mandatit të saj më 2013, ka ende kohë për të rikuperuar.
Top Channel