Presidenti në detyrë i Kosovës Jakup Krasniqi nuk e nënshkruan vendimin për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Një ditë pas miratimit në kuvend, Krasniqi, këtë herë, në cilësinë e presidentit vendosi ta kthejë strategjinë për votim, për t’u arritur, siç tha ai, “konsensus i plotë mes të gjitha grupeve parlamentare”.

Privatizimi i PTK-së përveç tjerash, ka nxjerrë në dukje ndasitë mes koalicionit qeverisës PDK-LDK. Pak minuta pasi presidenti në detyrë publikoi kthimin e strategjisë në kuvend, shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha se privatizimi i postës duhet të ndodhë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Në një reagim të saj qeveria e Kosovës deklaroi se inkurajon kuvendin që të ndërmarrë veprimet e duhura për të siguruar një transparencë të plotë lidhur me vendimin e privatizimit të PTK-së.

Kuvendi i Kosovës, miratoi të enjten strategjinë për privatizimin e PTK-së në mungesë kuorumi.

Kjo nxiti reagimin e LDK-së dhe opozitës. Kjo e fundit të premten veç ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të kërkuar interpretim ligjor nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërsa organizata “Çohu” dhe lëvizja “Vetëvendosje” e quajtën puç qeveritar dhe kushtetues.

Top Channel