Part-time, regjistrimet pas dy javësh

15/10/2010 08:55

Regjistrimet për në sistemin e korrespondencës pritet të fillojnë pas dy javësh. Pas aprovimit të kuotave dy ditë më parë në Këshillin e Ministrave, universitetet presin udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për të nisur nga regjistrimet, nga shpallja e kritereve dhe përzgjedhja e studentëve.

Kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave janë të ndara edhe në grupe sipas kategorive speciale të shtresave të caktuara shoqërore, si të verbrit, fëmijët e policëve të rënë, anëtarët e komunitetit rom.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, pritet që përgatitja e udhëzimit dhe dërgimi në institucionet e arsimit të lartë do të bëhet brenda 10 ditëve, e më pas do të nisë edhe shpallja e kritereve. Vendosja e kushteve për pranime bëhet nga vetë fakultetet.

Universiteti i Tiranës edhe këtë vit do të pranojë studentët kryesisht duke bërë përzgjedhjen nga mesatarja.

Nga ana tjetër, të gjithë studentët që kanë përfunduar një fakultet, por duan të ndjekin një të dytë duhet të regjistrohen pranë sekretarive, njësoj si ata që do të ndjekin korrespondencën.

Dokumentet që duhet të bëhen gati, janë dëftesa e noterizuar, certifikata e lindjes, dy fotografi, mandatarkëtimi i pagesës, vërtetim banimi, kërkesë për të studiuar në fakultetin e dëshiruar.

Çdo shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron dëftesë pjekurie apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për studimet me korrespondencë.

Aplikantët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, e fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë e të bëra publike paraprakisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA