Ndryshojnë taksat

15/10/2010 19:50

Qeveria ka parashikuar ndryshime në legjislacionin fiskal për vitin e ardhshëm. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ të Biznesit bëri publike ndryshimet e reja që kanë të bëjnë me rritjen me 20 lekë të akcizës për cigaret.

“Do të rrisim akcizën për cigaret me 20 lekë. E bëjmë këtë për të përafruar akcizën dhe çmimin e cigareve me atë të rajonit dhe vendeve të BE-së. Çmimi i cigareve është goxha më i lirë se ai në vendet e BE-së. Gjithashtu janë marrë masa për të luftuar kontrabandën e cigareve”, është shprehur Rrushaj.

Ndryshimet e reja parashikojnë edhe 0% të TVSH-së për ilaçet dhe për shërbimin shëndetësor.

“Do fusim ilaçet në skemën e tvsh-së dhe do ulim tvsh-në në shërbimet shëndetësore, nga 20% do i çojmë në 10%”, deklaroi Rrushaj.

Ndryshimet e reja do të prekin edhe tatimet mbi të ardhurat.

“Për arsye fiskale kredite e keqija s’do konsiderohen më si shpenzim i zbritshëm. Nëse një kompani shqiptare ka pjesëmarrje në kompani jashtë vendit dhe kur këto kompani ndajnë fitimet apo marrin divident i cili është takuar në vendin ku operojnë, atëherë kjo e ardhur nuk do përfshihet te të ardhurat e tatueshme. Propozojmë që t’u lejohet kompanive që nëse mendojnë që ka një vit më i keq se ai paraardhës të mund të modifikojnë këstet e parapagimit të tatim-fitimit”, deklaroi Rrushaj.

Rrushaj deklaroi gjithashtu që do të futen në skemën e TVSH-së të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. Ndërkaq ministri i Ekonomisë, Ilir Meta premtoi rritje të transparencës dhe bashkëpunimit të Këshillit Konsultativ të Biznesit, me biznesin vendas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA