Mandati i Beqjes drejt Kushtetueses

15/10/2010 16:20

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve do t’i propozojë seancës plenare që Parlamenti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja.

Edhe kjo mbledhje e dytë, u zhvillua për më shumë se 2 orë me dyer të mbyllura për gazetarët. Planet e mbledhjes u shpërndanë nga Zyra e Shtypit e Kuvendit.

Pas mbledhjes, nga anëtarët demokratë të Këshillit nuk doli kush të flasë. Por mësohet se në argumentat e tyre demokratët iu referuan nenit 70 pika 3 e Kushtetutës, ku thuhet se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.

Ndërkohë kompania ku zoti Beqja është aksioner ka fituar një tender për informatizimin e Bashkisë së Durrësit. Cështja është se tenderi është fituar përpara se zoti Beqja të bënte betimin në Kuvend më 25 shkurt të këtij viti.

Por demokratët përmendin nenin 71 pika 1 të Kushtetutës, ku thuhet se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Pra sipas demokratëve, kur përfitoi tenderin nga Bashkia e Durrësit, zoti Beqja ishte deputet.

Por socialistët kanë një interpretim tjetër. Në emër të tyre, foli deputeti Damian Gjiknuri:

“Sipas konceptit tonë bazuar në kushtetutë, nuk mund të ketë konflikt interesi për aq kohë sa nuk ka nisur detyra e dytë. Mbi këtë cështje do të vendosë parlamenti, ku do të ketë një raport të Këshillit mbi dy qëndrimet”, tha Gjiknuri.

Vetë zoti Beqja, që ishte i ftuar të fliste në këshill, në dalje të tij nuk bëri komente për thelbin e cështjes. Fjala e tij në Këshill, u shpërnda me e-mail. Aty, ndër të tjera thuhet: Në fakt, në vjeshtën e vitit 2009, kur kompania ku jam një nga ortakët ka konkuruar për kontratën e fazës së dytë të punës në fjalë, unë Ilir Beqja nuk kisha filluar ta ushtroja mandatin tim si deputet për arsyen e njohur botërisht që Partia Socialiste refuzonte të hynte në parlament. Ky fakt që sillet si provë ka ndodhur përpara sesa unë të bëja betimin që, sipas Neni 72 të Kushtetutës, konsiderohet akti që i hap rrugë fillimit të detyrës së deputetit nga ana e çdo të zgjedhuri. Po citoj nenin 72: “Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend”. Nocioni i ushtrimit të mandatit është themelor sepse vetëm pas betimit deputeti vishet me fuqi te plota juridike nga ligji publik për të ushtruar detyrën dhe vetëm atëherë lind mundësia e konfliktit të interesit. Çfarë konflikti interesi mund të ketë në veprimtarinë e një individi – siç isha unë në 30 nëntor 2009 – që megjithëse i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë as isha betuar as kisha filluar të ushtroja mandatin?”

Në seancë plenare, do të paraqiten të dy mendimet që u përballën në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Zoti Beqja e ka të qartë se tani për të do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Instiktivisht, për të dalë nga Kryesia e Kuvendit, ai u drejtua për nga dalja e godinës ku është vendosur… Gjykata Kushtetuese.
 

Top Channel