Hoxha: Akuzat politike, simetri PD-PS

14/10/2010 21:50

Analisti i njohur Artan Hoxha, duke komentuar akuzat e fundit mes palëve politike në vend, ka deklaruar se ka një simetri mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Hoxha ka kritikuar dy partitë më të mëdha për faktin se në akuzat e tyre nuk kanë treguar ligjet e shkelura.

“Gjej simetri mes palëve për akuzat për korrupsion dhe në asnjë rast palët nuk tregojnë se, ky është ligji i shkelur, apo ky është neni i shkelur. Kauza që ngrenë palët janë përdorimi i disa fakteve në mënyrë që të krijojnë idenë e një konspiracioni për përfitime”, ka pohuar Hoxha.

Sipas tij, përjashtim në këtë valë akuzash bën vetëm rasti i deputetit socialist Ilir Beqja, i cili e ka sqaruar pozicionin e tij.

“I vetmi rast që është treguar se është shkelur neni 70 i Kushtetutës, është ai i deputetit Ilir Beqja. Është lidhja e një kontrate që ndoshta nuk duhej lidhur duke qenë se mandati i deputetit ka filluar më vonë”, është shprehur Hoxha.

Ndërsa akuzat për rastet e tjera, nënvizon ai, janë shumë më të rënda pasi kanë të bëjnë me korrupsion dhe kontrabandë në nivelet e larta të pushtetit.

“Skandalet e tjera janë me kontrabandë e korrupsion. Këtë stil e nisi PS dhe po e kopion PD me fakte të tjera. Palët po përpiqen të krijojnë një axhendë të re në politikë, në vecanti PS që do ta pasojë me protestat e saj”, ka shtuar Hoxha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA