Universitetet, kuota të reja shtesë

13/10/2010 08:10

Maturantët që nuk janë shpallur fitues në asnjë prej listave të pranimit në universitete nuk duhet të shqetësohen, sepse Ministria e Arsimit ka vendosur t’u japë atyre një shans të fundit.

Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, kuotat e mbetura të parealizuara do të rishpërndahen përmes një vendimi të ri nga Këshilli i Ministrave. Parashikohet që në të do të jenë të evidentuara qartazi të dhënat përkatëse për raundin e katërt të regjistrimeve, duke shpallur edhe kuotat e mbetura bosh gjatë fazës përfundimtare. Sipas ministrit, rishpërndarja e kuotave të mbetura do të jetë në dispozicion të kandidatëve për studentë që nuk kanë fituar në tri fazat e para.

Regjistrimet e fundit do të kryhen duke respektuar parimin meritë-preferencë, në bazë të të cilit kandidatët i kanë dhënë prioritet degëve të preferuara. Edhe pse u pretendua që me përfundimin e fazës së tretë nuk do të kishte më regjistrime, së fundmi burime nga MASH pohuan se do të ketë një raund të katërt regjistrimesh.

Ndonëse dy ditë më parë nisi zyrtarisht viti i ri akademik në të gjitha fakultetet e vendit, bëhet e ditur se universitetet do të zhvillojnë edhe një tjetër raund pranimesh. Në relacionin e hartuar fill pas përfundimit të regjistrimeve të fazës përfundimtare, sqarohet se në shumë prej degëve të fakulteteve publike kanë mbetur kuota bosh.

Në këtë kuadër, kandidatët që nuk kanë mundur të jenë fitues në asnjë degë, do të kenë edhe një mundësi tjetër për të vijuar studimet e larta. Burime nga Ministria e Arsimit theksojnë se asnjë prej vendeve të mbetura bosh, në çfarëdo lloj programi studimor, nuk do të shkojë “dëm”. Kjo do të jetë shpresa e fundit për ata maturantë që presin ende me shumë ankth dhe dëshirë të mësojnë se cili do të jetë fati i tyre.

Vetëm pak ditë më parë, zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, tha se kuotat e mbetura bosh do të rishpërndahen, por prioritet do t’u jepet kandidatëve që janë pjesë e komunitetit rom dhe egjiptian.

“Asnjë kuotë nuk do të digjet, sepse askush nga ne kur vendos që të bëjë aprovimin e kuotave dhe kur kalon me vendim të Këshillit të Ministrave nuk ka të drejtë që pas një vendimi të bëjë djegien e këtyre kuotave. Do të ulet steka deri sa të plotësohen të gjitha kuotat, sipas meritë-preferencës”, sqaroi Malaj.

Sipas burimeve nga MASH, vitin e kaluar kanë qenë gjithsej 30 romë që kanë fituar të drejtën për të ndjekur arsimin e lartë.
Ndërsa kuotat shtesë për komunitetin rom do të aplikohen për herë të parë me nisjen e këtij viti akademik. Konkretisht, Ministria ka planifikuar 25 të drejta studimi për kandidatët romë, që nuk kanë mundur të jenë fitues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA