Topi: Parlamenti vendos për kandidaturat

13/10/2010 16:45

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Fierit.

Presidenti pati takime të veçanta me Kryetarin e Bashkisë së Fierit dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut. Më pas, në teatrin Bylis të qytetit presidenti pati një takim publik me deputetë, autoritete të pushtetit vendor, artistë dhe intelektualë. Gjatë këtij takimi Presidenti dekoroi me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë aktorin Muhamet Sherri dhe skenografin Pano Kondo.

Në përfundim të vizitës në Fier, Presidenti Topi vizitoi edhe qendrën arkeologjike të Apolonisë, ku u prit nga Drejtori dhe specialistë të Muzeut, të cilët i prezantuan projektin për rehabilitimin e Muzeut Arkeologjik.

Gjatë kësaj vizite, i pyetur nga gazetarët, Presidenti refuzoi të bëjë komente për procesin e miratimit të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar Parlamentin “sovran” në këtë proces. Presidenti e cilësoi normale letrën që komisioneri Fyle i dërgoi javën e shkuar kryeministrit Berisha, ku kërkohej mirëkuptim politik për reformën e ardhshme zgjedhore.

Sipas Presidenti, ndarja e shqetësimeve me autoritetet shqiptare është e drejtë ekskluzive e komisionerit Fyle në kuadër të pozicionit të tij në Komisionin europian. Presidenti inkurajoi edhe njëherë Prokurorinë që të bëjë punën e vet, pavarësisht situatave politike.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA