Cili është libri më i hershëm në bibliotekën tuaj? Nëse të gjithëve na duhet të mendohemi pakëz, Shpëtim Sala, përgjigjet shpejt madje dhe me krenari.
“Libri më i vjetër në bibliotekën time quhet ‘Doktrina kristiane’ dhe është shkruar në shqip nga Pjetër Budi. Është botuar në Romë në vitin 1664”, thotë Shpëtimi.
Për studiuesin dhe të apasionuarin pas letrave shqipe, ai është libri me moshë më të madhe nga 100 librat që i ka rehatuar në një bibliotekë të veçantë dhe që janë botuar para vitit 1900.
Është një libër që në shikim të parë duket sikur është latinisht, por në fakt po të përqendrohesh mund të lexosh dhe të kuptosh ndonjë fjalë në një shqipe të vjetër.
“Këtu është një shqipe e pastër, ka vlerë alfabeti. Për një gjysmë ore çdo njeri mund ta lexojë”, tregon ai.
Shpëtim Sala është 56 vjeç. Është marrë një jetë me librin. Tetë orë në ditë ia kushton vetëm atij: gjysmën e kohës në bibliotekën kombëtare dhe pjesën tjetër në bibliotekën e shtëpisë që arrin deri në 4 mijë libra. Pasioni i tij është trashëgimi e familjes.
“Unë kam trashëguar një bibliotekë nga gjyshi im i cili zotëronte gjashtë gjuhë të huaja. Në periudhën e Zogut ai nuk linte libër pa blerë në Korçë. Një pjesë të kësaj biblioteke e kam trashëguar unë”, thotë Shpëtimi.
Librin më të vjetër ia kanë bërë dhuratë, duke pasur parasysh pasionin e tij për librat, e veçanërisht për librat e rrallë.
Ndërkohë një bukinist i ri në moshë është edhe Ilir Dojka, 35 vjeç i cili ka rrëshqitur tek libri padashur.
“Kisha pasion armët, monedhat dhe duke kërkuar këto, gjeja libra të vjetër të cilët m’u kthyen në pasion”, thotë Iliri.
Libri më i vjetër që ka të bëjë me Shqipërinë është ai i vitit 1866, autori italian i të cilit, pas qëndrimit në Prishtinë, vendosi të shkruante për gjuhën shqipe. Ndërsa libri më i hershëm në bilbliotekën e tij është i vitit 1791 në gjuhën frënge. Sa më i vjetër të jetë libri, aq më shumë shtohet pasioni i tij, që e ka kaluar tashmë dy pasionet e para.
Por të jesh koleksionist nuk është aq e thjeshtë sa ç’duket. Është një investim që kërkon përkushtim dhe para dhe që jo rrallëherë sjell dhe diskutime në familje.
“Ndonjëherë diskutojmë me nusen pasi një pjesë të rrogës sime e kaloj për të blerë libra”, shprehet Iliri.
Libri më i kushtueshëm që ka blerë ka arritur vlerën 20 mijë lekë të reja. Por çmimi për të nuk ka të bëjë me vlerën. Ashtu dhe për Shpëtimin i cili thotë se çdo ditë që kalon i rrit vlerën e librit që nderon bibliotekën e tij.
“Është shumë e vështirë t’i përcaktojë vlerën, por sigurisht që bën disa miliona”, rrëfen Shpëtimi.
Përveç pasionit, librat kërkojnë dhe kujdes të madh. Shpëtimi si specialist i vjetër thotë se lagështira është armiku kryesor i librit. Këshillë që e rekomandon dhe Lushi Xheneti, shefe e sektorit të mirëmbajtjes se librave në Bibliotekën Kombëtare.
“Tre janë elementët për të cilët duhet pasur kujdes: temperatura konstante e ambientit, lagështira dhe ekspozimi në dritë të fuqishme”, shpjegon Lushi.
Ndërsa përsa i përket librave të bibliotekës, ato kanë një specifikë tjetër në mirëmbajtje.
“Në këtë sektorë restaurohen librat me vlerë që ka biblioteka si antikuaret, arkivet, albanologjia. Restaurimi bëhet nëpërmjet disa solucioneve që ne i gjejmë me pak vështirësi sepse janë mjete që nuk sigurohen vetëm brenda vendit, por një pjesë e mirë e tyre vijnë nga jashtë”, shprehet Lushi.
Rreth 800 libra restaurohen çdo vit në Bilbliotekën Kombëtare.
Top Channel