Dritëro Agolli: Të zgjidhet kriza

13/10/2010 20:10

Dritëro Agolli, i cilësuar nga shumëkush si patriarku i socialistëve, ka festuar 79 vjetorin mes vizitave dhe urimeve që i vijnë nga të gjithë, të njohur e të panjohur.

Duke folur për Top Channel, Agolli ka bërë thirrje për konsensus dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët, pasi kapitulli i gjatë i përplasjeve sipas tij ka qenë raskapitës dhe nevojitet një rrugë përmes së cilës t’i jepet drejtim krizës aktuale.

Pa përjashtuar protestat, si një barometër i rëndësishëm që tregon nivelin e demokracisë.

“Disa thonë pse të ketë protestë? Protesta është demokraci, duhet të ketë. Po të mos kishte protesta nuk do hiqeshin as vizat dhe nuk do të bëhej as hyrja në BE, sepse Evropa do thoshte se këta mbyllën gojën. Do thoshte, kush e di c’kanë”, ka deklaruar Agolli.

Megjithatë, Dritëro Agolli nuk mendon se gjithcka duhet të zgjidhet dhe kërkohet vetëm përmes rrugës.

“Protestat në demokraci janë të domosdoshme. Por sic thotë populli, gjella me kripë dhe kripa me karar. Sepse po u bënë gjithmonë protesta populli nuk do punojë dhe do të bëhet i varfër nëse nuk punon. Kështu që edhe protestat e tepruara nuk shkojnë”, është shprehur Agolli.

Dritëroi ka ndjekur edhe betejën e fundit me akuza, për të cilën shprehet se duhet të merret prokuroria.

“Gjithë këto që bëhen, për të nxjerrë fletërrufe, ndryshe nga ato të varura në mure janë të varura në dorë. Duhet të merret prokuroria me këtë cështje dhe të mos ketë frikë nga pushteti. Por ata duhet të jenë shumë të mencur që këtë fenomen ta mbyllin”, ka shtuar Agolli.

Në këtë përvjetor, poetit dhe shkrimtarit të madh i kanë uruar ditëlindjen presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kreu i LSI-së Ilir Meta, e natyrisht edhe nga shumë socialistë. Mes tyre edhe kryetari Edi Rama që e vizitoi në shtëpi gjatë paradites.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA