Dialogu për çështje praktike mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të nisë para zgjedhjeve të parakohshme ne Kosovë. (UPDATE)

Kjo është porosia që solli në kryeqytetin kosovar sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Pas një takimi me presidentin në detyrë Jakup Krasniqi dhe kryeministrin Hashim Thaci, zonja Clinton tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të përfshira ne dialog sepse janë të interesuara për një rajon të qetë e të qëndrueshëm.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

“Duke filluar që sot, për të vazhduar nesër dhe në fundjavë, unë dhe kolegët e mi në Bruksel do të punojmë me zyrtarët e Bashkimit Europian për të hartuar strukturën e dialogut. Ne mendojmë se dialogu duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Sepse pavarësisht se do të ketë zgjedhje këtu dhe në vitin tjetër në Serbi, ne besojmë se është në interesin e Kosovës që ky dialog të fillojë dhe kjo cështje të zgjidhet sa më parë”, ka deklaruar Clinton.

“Zonja Clinton tha se ia kishte rikujtuar presidentit Tadic në Beograd se nuk do të flitet as për status e as për integritetin territorial të Kosovës”, është shprehur pas saj kryeministri Hashim Thaci.

E pyetur për njohjet, sekretarja Clinton tha se ekziston një listë e vendeve shtesë me të cilat Shtetet e Bashkuara do të kontaktojnë.

“Pas takimit me ministrin e Jashtëm unë kam një listë të vendeve shtesë me të cilat Shtetet e Bashkuara do të kontaktojnë. Unë mendoj se është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë në shtimin e numrit të njohjeve, vecanërisht pas mendimit të GJND-së, që unë mendoj se e zgjidhi cështjen e pavarësisë njëherë e përgjithmonë”, ka nënvizuar Clinton.

Shefja e diplomacise amerikane la edhe porosi të tilla, si për shembull që Kosova të vazhdojë me një plan transparent për privatizimin e PTK-së dhe KEK-ut, apo dhe me organizimin e  zgjedhjeve të drejta, të lira dhe transparente, gjë për të cilën premtoi dhe ndihmë amerikane.

Top Channel