Pas përshëndetjes nga garda e FSK-së në aeroport, eskorta e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton bëri një lëvizje jashtë programit zyrtar. (UPDATE)

Ndalesa tek shtatorja e bashkëshortit të saj në sheshin “Bill Clinton” ishte e pashmangshme. Këtu ajo u përball me mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës.

Po ashtu, një ndalesë tjetër e zonjës Clinton ishte në një dyqan, i cili dhe mban emrin e saj, nga ku doli pasi bleu disa veshje.

E më tej, pas përfundimit të takimeve me krerët e shtetit të Kosovës, ishte radha e serbëve të Kosovës t’i uronin mirëseardhjen sekretares Clinton.

Edhe pse më të paktë në numër, edhe në enklavën serbe të Gracanicës kishte përkrahës të saj. Një grup grash serbe kishin dalë ta shihnin atë së paku nga largësia.

Ato shprehen të lumtura që Clinton nuk i ka anashkaluar në vizitën e saj në Kosovë. “Ështe mike e jona. Kemi dalë ta takojmë zonjën Hillary. Është një grua e madhe. Shpresojmë që në të ardhmen do të rregullohen raportet mes nesh”, tha njëra prej tyre.

“Është zonjë e vërtetë. Më vjen mirë që ka ardhur të na takojë edhe neve. Ne e duam një jetë të përbashkët dhe të qetë me të gjithë”, shtoi një tjetër.

Pritja pozitive shfaqet edhe kur pa u pyetur, njëra prej qytetareve serbe nuk ngurron të dënojë incidentin me flamurin shqiptar në Itali.

“Është i turpshëm incidenti i djegies së flamurit shqiptar në Itali. Këto sjellje na bëjnë për t’u ndjerë keq të gjithë ne serbëve edhe në Kosovë”, theksoi ajo.

Vizita e sekretares amerikane kishte entuziazmuar edhe një grup fëmijësh romë, të cilët pritën disa orë për ta parë atë. Takimet politike të zonjës Clinton përfunduan ne komunën e Gracanicës.

Më pas eskorta e saj u nis drejt bibliotekës së Kosovës, ku u takua me përfaqësues të OJQ-ve. Me këtë takim: Një debat me studentë dhe gra politikane, sekretarja amerikane e Shtetit i dha fund vizitës së saj disa orëshe në Kosovë.

Top Channel