Buxheti 2011, me disa skenarë borxhi

13/10/2010 08:00

Projektbuxheti i vitit 2011 duket në limitet e fundit të hartimit dhe pret firmën e Kryeministrit.

“Kanë përfunduar të gjitha diskutimet dhe negociatat me ministritë e linjës dhe institucionet, e tashmë po i japim dorën e fundit projektbuxhetit. Pritet miratimi i projektit në Këshillin e Planifikimit Strategjik, që drejtohet nga Kryeministri, ku mund të ketë diskutime dhe ndryshime, që bëjnë të mundur një rishikim të buxhetit, ose rregullim të tij, dhe më pas kalon në qeveri.

Praktikisht, i gjithë projekti miratohet në qeveri brenda datës 20 tetor”, sqaruan burime zyrtare të Ministrisë së Financave. Të njëjtat burime nuk pranuan të jepnin një shifër të përafërt të projektbuxhetit, pasi, sipas tyre, janë vendosur disa skenarë lidhur me deficitin buxhetor dhe nuk ka një variant të saktë.

Gjithsesi, gazeta mëson faktin se nga rreth 47 miliardë lekë që janë parashikuar për investimet, gati 80 për qind janë për projektet rrugore. I gjithë fondi i vënë në dispozicion të investimeve janë nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët. Lidhur me projektet e proklamuara nga Kryeministri, siç është rruga Tiranë-Elbasan bashkë me tunelin, Ministria e Financave sqaron se nuk ka ende një projekt të përfunduar, në mënyrë që të mësohet konkretisht vlera e financimit.

Lidhur me variantet e buxhetit, mësohet se ministria ka hartuar tri të tilla, me disa nivele të ndryshme deficiti, varianti final i të cilit do të vendoset duke parë projeksionet makroekonomike dhe fiskale.

I përgatitur nga Ministria e Financave, mbi bazën e kërkesave të paraqitura nga ministrisë e linjës dhe institucionet e tjera, projektbuxheti parashikon rreth 395 miliardë e 206 milionë lekë shpenzime, ose rreth 24 miliardë lekë më shumë se 2010-a (e rishikuar), me rritje mbi 6 për qind. Të ardhurat në total parashikohen të rritet me 7 për qind, duke planifikuar mbi 358 miliardë lekë arkëtime, me rritje afro 25 miliardë lekë, aq sa shpenzimet.

Gjithsesi, parametrat e tij mund të ndryshojnë në varësi të mbledhjes së Komitetit të Planifikimit Strategjik.
Përgatitja e projektbuxhetit 2011 është bërë në kuadër të hartimit të planit afatmesëm buxhetor 2011-2013, ku çdo institucion plotëson formularët me të dhënat e detajuara rreth shpenzimeve që parashikon të kryejë për tre vitet e ardhshme. Ky format zbatohet për të tretin vit radhazi dhe është rekomanduar nga BE-ja, sipas standardeve të reja perëndimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA