Van Rompuy, vizitë në Tiranë

12/10/2010 08:20

Presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy, mbërrin në Tiranë javën e ardhshme, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare.

Siç mësohet nga burime diplomatike, kjo vizitë cilësohet një eveniment i rëndësishëm, ku kreu i Brukselit zyrtar pritet të japë një mesazh të qartë në lidhje me ecurinë e negociatave për statusin e vendit kandidat.

Por nga ana tjetër, kjo vizitë është një mesazh i rëndësishëm politik, ku do të shpallet qëndrimi i drejtpërdrejtë i Bashkimit Europian mbi krizën politike shqiptare, pas letrës që Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, i dërgoi Kryeministrit Berisha në fund të shtatorit.

Lajmin për ardhjen e Presidentit të Bashkimit Europian në Tiranë e ka dhënë i ngarkuari me punë i Komisionit Europian në Tiranë, Luigi Brusa, gjatë një takimi që ka zhvilluar dje me shefin e diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto.

Siç njofton drejtoria për shtyp e MPJ-së, “Brusa vuri në dukje se bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë është tepër intensiv dhe kjo shihet qartë nga shkëmbimet e vazhdueshme të vizitave të niveleve të ndryshme në Bruksel dhe Tiranë. Vizita që Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, do të zhvillojë javën e ardhshme në Tiranë, është shenjë e qartë e rëndësisë që BE i kushton Shqipërisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA