Topalli takohet me kreun e OSBE-së

12/10/2010 08:45

Kryetarja e Kuvendit u takua dje me ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth. Kryetarja e Kuvendit rikonfirmoi vullnetin e plotë të mazhorancës për reformën e re të sistemit zgjedhor, sipas rekomandimeve të raportit të fundit të ODIHR, si dhe shtrirjen e dorës së bashkëpunimit me opozitën.

Kryetarja e Kuvendit i uroi ambasadorit Wollfarth suksese në mandatin e drejtimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar rolin e OSBE-së gjatë këtyre viteve në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të së drejtës në Shqipëri, shprehu kënaqësinë për votimin e merituar historik të heqjes së vizave nga Parlamenti Europian.

Kryetarja e Kuvendit tha se “ky votim është ratifikimi i progresit të jashtëzakonshëm që shqiptarët kanë bërë gjatë këtyre viteve dhe reformave të pandalshme të qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve në çdo fushë”.

“Miratimi i Rezolutës për heqjen e vizave nga Parlamenti Europian nuk ishte një dhuratë, por një votim i merituar për një vend që ka ndryshuar shumë në një kohë kaq të shkurtër”.

Kryetarja e Kuvendit, gjatë një përmbledhjeje për zhvillimet në vend, vlerësoi paketat e shumta ligjore që Parlamenti ka miratuar për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, ndërkohë që ligje të tjera të rëndësishme priten të miratohen në javët në vijim.

Ambasadori Wollfarth e falënderoi Kryetaren e Kuvendit për vlerësimin e rolit të Prezencës së OSBE-së dhe e siguroi atë për vijimësinë e mbështetjes së kësaj organizate në reformat ligjore dhe konsolidimin e institucioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA