Shqipëri-Kosovë, bisedime për referencat doganore

12/10/2010 08:55

Historisë dyvjeçare me taksat e larta doganore që aplikon qeveria shqiptare mbi produktet kosovare duket se do t’i vijë fundi.

Pas shqetësimit të ngritur dy ditë më parë nga kreu i Odës Ekonomike të Kosovës për diskriminim të produkteve që eksportohen drejt Shqipërisë, reagon Ministria e Financave, duke dërguar në Prishtinë disa ekspertë fiskalë që e njohin terrenin mes dy vendeve.

Burime zyrtare nga ministria sqarojnë për gazetën “Shqip” se pala kosovare ankohet mbi çmimet referencë që aplikon dogana shqiptare mbi produktet bujqësore të patates dhe rrushit.

“Që sot kanë nisur diskutimet në Prishtinë dhe nesër qeveria shqiptare, përmes doganës, do të dalë me një material studimor rreth zgjidhjes së problemit”, tregon Ministria e Financave.

Prej vitesh patatja e Kosovës është kthyer në kërcënim për patatet tona, kryesish ato të Kukësit, dhe për t’i mbrojtur qeveria shtoi barrierat fiskale ndaj sasive që vinin nga jashtë.

Por duket se kohët e fundit është kthyer edhe rrushi, variete që përdoret për prodhim vere, si konkurrent i fortë për prodhimin vendas.

Sipas ministrisë, vendosja e çmimeve referencë lidhet me vetë kërkesën e bizneseve shqiptare për të mbrojtur produktet e tyre dhe për nxitur produktet vendase.

Vendosja e tarifave shtesë ka sjellë reagime të forta nga Prishtina, duke paralajmëruar për rishikim të marrëdhënieve tregtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA