
Kreu i doganave Flamur Gjyrmishka nuk ka mohuar akuzat e ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për kontrabandën e naftës në Shqipëri, por thotë se nuk ka prova që të mbështesin akuzat e Priftit për periudhën kohore të cilës i referohet ish ministri.
“Në lidhje me të dhënat që kanë të bëjnë më një kontrabandë të mundshme, po merret informacioni i duhur edhe me strukturat e vendeve homologe”, është shprehur Flamur Gjyrmishka, drejtor i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare.
Drejtori i doganave paralajmëroi se hetimet për kontrabandën e naftës do të shtrihen edhe më gjerë sesa koha kur Dritan Prifti ishte ministër i Ekonomisë.
“Bëhet fjalë për një periudhë tjetër të mëparshme, ne do të punojmë të sigurojmë informacionin e duhur”, deklaroi Gjyrmishka.
Gjatë takimit ndërkombëtar të Task Forcës së doganave dhe policisë së vendeve të Europës juglindore, takim që po zhvillohet në qytetin e Durrësit, ai deklaroi se po merren masa për parandalimin e kontrabandës së cigareve dhe trafikimit të markave dhe patentave.
Sipas Dyrmishit, këto janë masa të domosdoshme për mbrojtjen e konsumatorit dhe vjeljen e detyrimeve doganore nga subjektet importuese.
Një tjetër arsye kryesore e organizimit të këtij aktiviteti është edhe bllokimi i financimit të terrorizmit që u deklarua se gjen mbështetje te fitimet e siguruara nga kontrabanda dhe trafiqet.
Top Channel