
Gjatë turit të tij në Jug të vendit fundjavën e shkuar, Kryeministri Berisha përuroi në afërsi të Sarandës, rikonstruksionin e rrugës së Soromesë, që lidh komunat Aliko dhe Xarrë me rrugën kombëtare.
Rruga e re, me gjatësi 18.5 km dhe me vlerë 291 milionë lekë, është një financim i Fondit shqiptar të Zhvillimit. Rruga i jep kësaj zone një infrastrukturë të re, që pritet të lehtësojë lëvizjen dhe arritjen më shpejt në treg, për fermerët dhe banorët e zonës. Kryeministri Berisha u takua me këta fermerë dhe i garantoi se qeveria do të bëjë çdo investim që përmirëson jetën e tyre.
Kryeministri u bëri të njohur fermerëve se së shpejti nis edhe projekti i dytë i madh për kultivimin e drurëve frutorë që, krahas projektit të ullirit, do të krijojë, sipas qeverisë, mundësi të reja të mëdha për fermerët, nëpërmjet shfrytëzimit të këtyre potencialeve. Duke i ftuar të përfitojnë nga ky projekt, Kryeministri i garantoi fermerët se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë ulli apo agrume që ata do të mbjellin.
Top Channel