Meta: PE vlerësoi arritjet e qeverisë

11/10/2010 18:20

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një fjalimi të mbajtur në konventën e partisë së tij, ka vlerësuar me nota maksimale punën e qeverisë në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Gjatë këtij viti ne kemi arritur të konfrontojmë një proces jetik për integrimin e Shqipërisë dhe në një vit ne arritëm të përmbushim të gjitha kushtet e udhërrëfyesit për heqjen e vizave”, ka deklaruar Meta.

Sipas tij, Parlamenti Evropian me votimin e tij ka vlerësuar reformat e shumta të ndërmarra nga qeveria, e cila ka bërë investime të jashtëzakonshme.

“Këto arritje janë me qindra ligje të bëra, vendime qeverie dhe akte të tjera nënligjore. Janë investime të jashtëzakonshme, janë luftë kundër krimit të organizuar. Ndaj dhe votimi i PE nuk ishte një votë vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por një vlerësim i arritjeve të jashtëzakonshme të qeverisë”, ka pohuar Meta.

Megjithatë, numri dy i qeverisë ka pranuar se vendi ka ende shumë punë për të arritur integrimin evropian dhe për këtë ka kërkuar mbështetjen e simpatizantëve të LSI-së në mbarë vendin.

Ai ka nënvizuar se integrimi është pikërisht detyrimi që partia e tij qëndron në koalicionin qeverisës, të cilin do ta vazhdojë deri në fund.

“Ne jemi në koalicion me PD për shkak të një marrëveshjeje, asaj për integrim dhe ne do t’i qëndrojmë asaj marrëveshjeje pasi ajo është për shqiptarët”, ka theksuar Meta.

Gjatë fjalimit të tij, ai ka sulmuar edhe Partinë Socialiste, ndonëse pa e përmendur me emër. “Shqiptarët janë lodhur me bojkotet dhe me fjalimet anti-amerikane dhe anti-evropiane”, është shprehur Meta.

Ai ka shtuar më tej se, në zgjedhjet e ardhshme lokale LSI do të arrijë një rezultat spektakolar, “në mënyrë që Tirana t’u kthehet qytetarëve të saj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA