Dy serbët e arrestuar nga EULEX-i në fillim të këtij muaji në veri të Mitrovicës, janë liruar për shkak të problemeve juridike.

Sipas EULEX-it, defekti juridik që është paraqitur në këtë rast ka të bëjë me mungesën e gjyqtarëve në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ndërsa sipas procedurave, në secilin rast duhet të përfshihet edhe një gjyqtar vendas.

Avokati mbrojtës i të dyshuarve, Mahmut Halimi, ka deklaruar për mediat kosovare se vendimi për lirimin e klientëve të tij, është marrë për shkak të mungesës së provave. Ai ka akuzuar EULEX-in se për shkak të propagandës në veri, janë arrestuar persona të pafajshëm. Por, ndryshe ka deklaruar zëdhënësja e EULEX-it, duke theksuar se paneli i gjyqtarëve nuk e ka marrë parasysh kërkesën e mbrojtjes për lirimin e të dyshuarve nga paraburgimi.

Në 4 tetor, EULEX arrestoi Dejan Vulovicin për vrasje në tentativë, posedim të paautorizuar të armës dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa në 6 tetor, policët arrestuan Serdjan Vulovicin, si të dyshuar për kanosje ndaj zyrtarëve.

Top Channel