“Vizat”, Krasniqi: Pas nëntorit hapet rruga për Kosovën

08/10/2010 15:00

Pas raportit të ardhshëm të progresit që pritet të dorëzohet në fillim të nëntorit të këtij viti, për Kosovën do të konkretizohet rruga e liberalizimit të vizave.

Kështu ka deklaruar ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit, Jakup Krasniqi pas takimit me ambasadorin e Shqipërisë në NATO, Artur Kuko.

Krasniqi ka përgëzuar shtetin shqiptar për liberalizimin e vizave, duke vlerësuar lart vendimin e Parlamentit Evropian për përfshirjen e Shqipërisë dhe të Bosnjës në këtë proces.

Ai ka shfaqur shpresën që edhe Kosova si vendi më i vogël i Ballkanit, të bëhet pjesë e vendeve ballkanike dhe evropiane në procesin e liberalizimit të vizave. Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në NATO, Artur Kuko ka theksuar se Brukseli i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe progresin e institucioneve shtetërore, sidomos të Policisë së Kosovës dhe FSK-së.

Sipas tij edhe situata në Veri të Kosovës është duke u ndjekur me interes. “Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, qofshin të Bashkimit Evropian apo të NATO-s, fokusohen në veri të Kosovës, duke e vlerësuar si një situatë problematike, e cila duhet adresuar në mënyrë të koordinuar nga autoritetet e Kosovës në bashkëpunim me komitetin ndërkombëtar”, ka thënë Kuko.
 

Top Channel