Ndalimi i shamisë islamike në institucionet publike të Kosovës ka shtyrë qindra besimtarë myslimanë që të protestojnë serish para godinës së qeverisë.

Për dallim nga protesta e fundit, numri i protestuesve këtë herë ishte shumë i vogël.

Me këtë protestë u kundërshtua edhe një herë udhëzimi administrativ 6/2010 i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, me të cilin ndalohet mbajtja e veshjeve fetare në institucionet arsimore publike.

“Rruga drejt integrimit nuk mund të përshkohet me shkelje të Kushtetutës, me krim të organizuar dhe me shkelje të drejtash. Por mund të shkohet me shami”, deklaroi një prej protestuesve.

Pas disa minutash, protesta për pak devijoi nga mënyra e qetë e zhvillimit, për shkak të mospërgjigjes së zyrtarëve të qeverisë ndaj protestuesve.

Disa herë gjatë protestës organizatorët kërcënuan kryeministrin Hashim Thaci për t’i pranuar në takim. Pasi u pranuan nga zyrtarët e qeverisë, protestuesit thanë se i kanë dhënë ultimatum qeverisë që brenda 30 ditësh t’i plotësojë kërkesat e tyre.

Më pas turma u shpërnda e qetë. Por, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka njoftuar se, Bashkësia Islame nuk qëndron prapa kësaj proteste.

Sipas tij, Bashkësia Islame do të ndjekë procedurat ligjore dhe ka kërkuar nga Avokati i Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese të deklarohet në lidhje me udhëzimin administrativ që ndalon veshjet fetare.

Top Channel