
Një zyrtar i lartë koreano-verior ka bërë komentin e parë në publik lidhur me vendimin e liderit Kim Jong-il për t’ia trashëguar pushtetin të birit, Kim Jong-un.
Yang Hyong Sop, anëtar i vjetër në radhët e Partisë së Punëtorëve, i bëri komentet e tij gjatë një interviste për degën e “Associated Press” në Penian.
“Qytetarët tanë janë krenarë për faktin se janë bekuar me liderë të mëdhenj nga brezi në brez. Ata janë të nderuar që udhëhiqen nga gjenerali i madh Kim Jong-il dhe tani ata kanë nderin të drejtohen nga gjenerali Kim Jong-un”, ka deklaruar Yang Hyong Sop.
Kim Jong-un u vendos në krye të politikës dhe ushtrisë në një takim të rrallë të Partisë së Punëtorëve, që u mbajt muajin e kaluar.
Babai i tij, Kim Jong-il, që mendohet se është në gjëndje jo të mirë shëndetësore, erdhi në pushtet në vitin 1994, pas vdekjes së të atit Kim Il-sung.
Top Channel