Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga udhëheqësit e sapozgjedhur të Bosnjës që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të shohin drejt së ardhmes.

“Ne presim të shohim formimin e qeverisë së re, e cila duhet të jetë e angazhuar për të zgjidhur cështjet kushtetuese që kanë mbetur të bllokuara dhe çështje të tjera të nevojshme për ta vënë vendin bindshëm në rrugën e integrimit euro-atlantik”, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Crowley.

Sipas rezultateve të pjesshme, Bakir Izetbegovic, i njohur për qëndrimet e tij të moderuara, do të jetë anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe.

Izetbegovic është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me grupet e tjera etnike për të mundësuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Anëtari aktual i presidencës, kroati Zelko Komishic, fitoi një mandat të ri katër vjeçar. Ndërsa nga pala serbe në presidencë do të jetë Nebojsha Radmanovic, i cili mbështet shkëputjen e Republikës Serbe.

Top Channel