Mundësitë që Kosova ka të futet në zgjedhje të parakohëshme kanë lindur edhe nevojën për modifikimin e ligjit elektoral.

Por grupi i punës mendon se mund të realizojë vetëm ndërhyrje të karakterit teknik.

“Me sa shikohet gjatë punës më shumë do të ketë ndryshime përsa i përket disa çështjeve teknike atje ku KQZ ka patur pengesa në implementimin e ligjit të vjetër”, shprehet kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Ndërsa përfaqësues të politikës tregohen skeptikë për realizimin e konsensusit mes tyre për ndryshimin e këtij ligji.

“Është një parim që 6 muajt e fundit para zgjedhjeve ligjet zgjedhore nuk preken për shkak të pamundësisë për të krijuar rregulla dhe për t’i zbatuar ato në praktikë”, deklaron për mediat përfaqësuesi i AKR-së, Ibrahim Makolli.

Thuajse në të njëjtën linjë është paraqitur edhe përfaqësuesi i LDK-së, Lirak Çelaj.

“Nuk jemi dukë bërë ndryshime shumë thelbësore, që do të na merrnin shumë kohë për t’u përgatitur teknikish. Ndaj nuk e shoh këtë si pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha zoti Çela.

Ndërsa përfaqësuesit e forcave politike të tjera thanë se po bëhen ndryshimet e nevojshme dhe se risia është se votuesit do të mund të votojnë deri në 5 kandidatë, ndryshe nga ligji i vjetër ku votohej vetëm 1 kandidat.

Top Channel