Greqia hap dyert e burgjeve duke liruar 1350 të burgosur. Lajmin e publikon Departamenti i Drejtësisë që i referohet rregullave të reja ligjore të miratuara, për të përshpejtuar proçedurat penale.

Bëhet fjalë për atë katogori të dënuarish, rreth 10% e 12400 të burgosurve në Greqi, të cilët mund të blejnë vlerën e dënimeve deri në 5 vjet.

Vlerësohet se do të përfitojnë edhe shumë të burgosur shqiptarë, përderisa ata përbëjnë rreth 25% të numrit të përgjithshëm dhe shumica e tyre ka marrë dënime të ulëta, kryesisht për trafikim të lëndëve narkotike, apo vjedhje.

Gjithashtu sipas rregullave të reja ligjore, ndalohet burgimi i personave të cilët nuk mund të paguajnë shpenzimet e gjykatës çka sjell lirimin automatikisht të më shumë se 130 të dënuarve.

Tepër i rëndësishëm është fakti që tani e tutje të gjitha dënimet prej tre vjetësh heqje lirie, mund të blihen. Madje edhe për ata që nuk kanë para, mund t’i depozitojnë ato me këste, në një periudhë dy ose tre vjeçare.

Qeveria greke kërkon me këtë mënyrë thjeshtëzimin, por edhe përforcimin e zbatimit të ligjeve, në mënyrë që dënimi me heqje lirie të jepet vetëm për akte të rënda penale dhe vepra kriminale.

Kjo edhe për faktin se dënimet e vogla kanë treguar se nuk ndryshojnë pozitivisht sjelljen e keqbërësve. Gjithashtu sipas ministrit të Drejtësisë është e padrejtë të burgosen persona që nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë shpenzimet gjyqësore.

Lirimi i një numri kaq të madh të burgosurish do u japë një frymëmarrje burgjeve greke të cilat mbajnë në këto momente rreth 3500 persona më tepër se sa kapaciteti i tyre.

Top Channel