Universitetet, mbi 1 mijë kuota bosh

04/10/2010 08:20

Sot shpallet lista e fituesve të fazës së tretë për regjistrime në universitetet e të gjithë vendit.

Kjo do të jetë faza e fundit e regjistrimeve dhe pas paraqitjes së fituesve të fundit në listë, nuk do të ketë më asnjë rishpërndarje kuotash. Maturantët që nuk fituan, nuk do të kenë më shans për një regjistrim në fazën tjetër dhe kanë humbur përfundimisht të drejtën për të ndjekur studimet universitare me kohë të plotë. E vetmja rrugëzgjidhje mbetet konkurrimi në part-time, në sistemin e korrespondencës.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, Agjencia e Pranimit të Rezultateve në Institucionet e Arsimit të Lartë sot duhet të dërgojë në universitete të gjithë listat e fituesve. Ndërkohë që sekretaritë e universiteteve duhet të nisin menjëherë nga procesi i regjistrimeve. Maturantët do të kenë vetëm tri ditë kohë dhe më pas do të jetë mbyllur i gjithë procesi i pranimeve të maturantëve në universitetet e të gjithë vendit. Sipas Ministrisë së Arsimit, regjistrimet për këtë fazë do të zgjasin vetëm tri ditë, nga 6 deri më 9 tetor, ndryshe nga dy fazat e para të cilat kanë zgjatur pesë ditë.

Fituesit e fazës së tretë njësoj si fituesit e fazave të mëparshme duhet të paraqesin në sekretari dosjen me dokumentacionin përkatës. Për regjistrim kërkohet dëftesa e pjekurisë, fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë ose një mjet tjetër identifikues, dy fotografi dhe mandati i arkëtimit.

Ata kandidatë që janë shpallur fitues në fazën dytë por edhe në fazën e tretë, por tashmë në një preferencë më lartë se ajo e mëparshmja, duhet që patjetër të çregjistrohen nga dega e mëparshme dhe të paraqesin dosjen e dokumentacionit në fakultetin e meritës së parë. Nëse ky çregjistrim nuk kryhet dhe emri i një studenti figuron në dy fakultete, atëherë ai nuk ka të drejtë të ndjekë studimet në asnjërin prej tyre. Për sa i përket tarifës së paguar, për fituesit që kanë paguar një tarifë të caktuar për regjistrimin e parë, ky mandatarkëtimi do të jetë i vlefshëm dhe në regjistrimin e dytë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA