Masterat, kriteret vendosen nga universitetet

04/10/2010 08:10

Pas miratimit të kuotave të masterave me Vendim të Këshillit të Ministrave, universitetet janë në pritje të miratimit të udhëzimeve dhe rregulloreve për realizimin e ndryshimeve të ligjit të arsimit të lartë.

Të gjitha amendimet që pësoi ligji dhe që u miratuan në fund të muajit korrik, duhet të plotësohen me udhëzime dhe urdhra në mënyrë që ndryshimet të implementohen duke nisur nga çelja e vitit të ri akademik.

Pas mbylljes së fazës së fundit të regjistrimeve dhe shpalljes së fituesve në universitete, pritet të nisë dhe viti akademik, pa vonesa e prapambetje si vitet e kaluara. Paralel me kohën do të nisë edhe konkursi për pranimet në ciklet e dytë të studimeve, master shkencor. Kriteret për të qenë fitues do të vendosen nga vetë universitetet.

Por edhe këtë vit, mesatarja e ciklit të parë të studimeve do të jetë një nga kushtet kryesore kualifikuese. Veç konkurrentëve me mesatare, kategori të veçanta si fëmijët e punonjësve të forcave të rendit të rënë në detyrë, të verbrit, romët. Por të gjithë ata kandidatë që do të duan të përfitojnë të drejta studimi për master, duhet të paraqiten pranë shoqatave përkatëse, pasi këto struktura do të bëjnë edhe renditjen dhe verifikimin, plotësimin e listës së përfituesve që do t’i drejtohen universiteteve për kualifikimin pasuniversitar.

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë kriteret e pranimit të aplikantëve dhe i bëjnë ato publike, paraprakisht. Aplikantët që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2010-2011, dhe që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër/të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë jetimë, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë, fëmijë të policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës dhe të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit.

Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Në çdo program studimi të ciklit të dytë, Master i Shkencave, studentët e vitit të parë, që kanë përfunduar me Medalje të Artë ciklin e parë të studimeve, dhe studentët e vitit të dytë, që kanë përfunduar shkëlqyeshëm vitin e parë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik 2010-2011. Kuotat e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të dytë Master i Shkencave përbëhen nga: Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit Master Profesional, për aplikantët brenda territorit të vendit, përkatësisht 3667.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA