Kontrolli i SHISH do të drejtohet nga opozita

04/10/2010 08:35

Strukturat ndërkombëtare humbasin besimin në konjukturat aktuale të kryesisë së Kuvendit, duke krijuar grup të ri për hartimin e një drafti të ri për Shërbimin Informativ Shtetëror.

OSBE vendos kritere të forta për anëtarët e rinj të këtij ‘grupimi’ të cilët do të nënshkruajnë një kontratë për ruajtjen e konfidencialitetit me rigorozitet të plotë. Drafti i OSBE-së për kontrollin e SHISH ndodhet aktualisht në zyrat e administratës së kuvendit dhe është hartuar nën ekspertizën e plotë të OSBE-së.

Për anëtarët e rinj që do të shkelin rregullat e konfidencialitetit do të ketë edhe sanksione penale. Në këtë mënyrë çdo raport që do të hartohet dhe diskutohet në mbledhjet me dyer të mbylla do të qëndrojë top-sekret në këtë kundërt do të ketë penalizime. Ende është e paqartë pika sesi do të pritet por edhe sesi do të përcillet ky rregull i rreptë nga ligjvënësit shqiptarë.

Struktura e re që do të merret me ligjin e ri të SHISH e ka emërimin e saj ‘nënkomision’ dhe do të përbëhet nga pesë anëtarë që do të jetë me status ligjvënës. Opozita do të ketë të drejtë të marrë kryetarin dhe një anëtarë, ndërsa tre të tjerë, një nënkryetar dhe një anëtar do të zgjidhen nga koalicioni qeverisës. Ky nënkomision ka si qëllim kontrollin e SHISH, kryesisht në identifikimin e problemeve dhe më pas duhet t`ia përcjellë ato ekzekutivit.

Lidhur me këtë nismë të OSBE-së, anëtari i komisionit të sigurisë, Ilir Gjoni thotë se “ky ligj nuk interferon me draftin e bllokuar në Kuvend, por ka një rëndësi të veçantë”. Projektligji me ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror megjithë kundërshtitë e forta të partnerëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, kontestimit të opozitës, por edhe rebelimit të fundit të disa përfaqësuesve të mazhorancës ndodhet ende në zyrat e parlamentit, për miratim. Për të çbllokuar këtë ngërç, ekspertët e OSBE-së kanë dërguar në Kuvend një draft të ri.

Mungesa e konsensusit për të votuar ndryshimet në Ligjin organik të Shërbimit sekret ka future në lojë një draft të ri të hartuar nga ekspertët e OSBE-së dhe do të plotësohet në nënkomisionin e ri kuvendor nga pesë juristët e mazhorancës dhe opozitës. Nënkomisioni nuk përfshihet në procese gjyqësore dhe nuk mbikëqyr mbledhjen e provave të përdorura në ndjekjet penale.

Një pikë e veçantë që ka shkaktuar mjaft debat mes PD-PS është ruajtja e sekretit shtetëror. Ky nënkomision ka të specifikuar se nuk duhet të kompromentojë sekretet shtetërore. Anëtarët e rinj të tij do të nënshkruajnë një dokument ku do të shprehen se i kuptojnë rregullat e konfidencialitetit, duke përfshirë edhe mundësinë e sanksioneve penale, në rast shkeljeje. Një tjetër detyrë që do të kenë anëtarët e këtij nënkomisioni është raportimi të paktën një herë në vit në Kuvend.

Pas paraqitjes së raportit, që do të bëhet publik, duke ‘fshehur’ pikat e nxehta dhe problematikat ‘top-sekret’ do të nis edhe disktutimi në seancë plenare. Detyrë specifike e vendosur nga ndërkombëtarët për funksionimin he veprimtarinë e këtij nënkomisioni është që të mos vendos në rrezik operacionet apo marrëdhëniet ndërkombëtare.

Raportet duhet të çklasifikohen si sekret para se ato të bëhen publike. Në këtë rast një kopje i dorëzohet kryetarit të Parlamentit, Presidentit, Kryeministrit, ministrave përkatës dhe shërbimeve. Nënkomisioni duhet të jetë në gjendje, që pas identifikimit të problemeve t`ia bëjë ato të ditur ekzekutivit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA