Gjirokastër, largimi i Tavos shkakton reagime

04/10/2010 08:25

Lajmi i përhapur me shpejtësi të dielën nëpërmjet mediave elektronike se tri herë i mandatuari si deputet i Parlamentit shqiptar, socialisti Vangjel Tavo, largohet nga PS, ka ngjallur habi dhe interes në të gjitha hapësirat e politikës lokale në Gjirokastër.

Ky lajm, nga opinioni brenda dhe jashtë socialistëve në Gjirokastër, është shoqëruar me qëndrime nga më të ndryshmet dhe nga më të kundërtat. Por, pavarësisht nga opinionet dhe qëndrimet e kundërta, për një gjë të gjithë janë të të njëjtit mendim, në thelb të lëvizjes të fundit politike të Vangjel Tavos, qëndron konflikti i vjetër mes tij dhe kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime.

Përplasjet e shpeshta Tavo-Bime që shfaqen e theksohen e bëhen më evidente në situatë fushatash elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme apo lokale dhe zgjedhjesh brenda degës së PS në Gjirokastër, duket se kanë në përmbajtje të tyre rivalitetin mes tyre për të kontrolluar partinë në Rrethin dhe Qarkun e Gjirokastrës.

Ndonëse vendimi i deputetit Tavo për largimin e tij nga PSSH vjen vetëm pak ditë pas largimit të deputetit Paulin Sterkaj nga radhët e PDSH, ka pak të ngjarë që këto dy ngjarje të kenë lidhje mes tyre. Fakti që deputeti Tavo në deklarimet e fundit thotë se në gjirin e PS nuk ka demokraci të brendshme, se forumet e kësaj force shpërfillen dhe injorohet jo vetëm baza por edhe deputetët e zgjedhur, të cilët thirren vetëm në beteja elektorale, të bind që “inatet” e tij të lidhen me zhvillimet e brendshme politike në bazë dhe jo në qendër.

Pavarësisht se në deklarimet e Tavos anashkalohen përplasjet dhe sherret mes grupimeve pro dhe kundër kryetarit aktual të bashkisë Flamur Bime, klima politike aktuale brenda radhëve të PS në Gjirokastër ka qenë më e paqëndrueshme se kurrë. Mjafton të kujtojmë se Gjirokastra është rrethi i fundit në shkallë qarku dhe ndoshta edhe në shkallë vendi ku zgjedhjet për kryetarin e degës së PS nga anëtarësia e asamblesë nuk kanë përfunduar, ndërkohë që në Përmet dhe Tepelenë procesi ka përfunduar dy muaj më parë.

Kanë qenë përplasjet e kahershme mes këtyre dy grupimeve në gjirin e socialistëve gjirokastritë, që e detyruan PSSH që në Gjirokastër dhe në disa rrethe me problematikë të ngjashme dy vjet më parë të ndante organizatën në dy struktura duke kaluar nga struktura në nivel rrethi, në strukturë me dy kryetarë, qytet dhe fshat. Në zgjedhjet e tanishme nuk do të ketë më dy, por vetëm një kryetar.

Momentalisht, të gjitha organizatat socialiste në rreth kanë organizuar mbledhjet përfundimtare prej nga ku kanë nxjerrë propozimet përkatëse me emrat e 14 kandidatëve për kryetar partie të rrethit. Mirëpo, burime të brendshme nga radhët e socialistëve lokalë bëjnë të ditur se pavarësisht nga lista e gjatë e kandidatëve, tre janë emrat më konkurrent dhe më të mundshëm: Florian Hysi, krahu i djathtë i kryebashkiakut Bime në njërën anë dhe përballë tij dy kandidatë, Ismail Zeko dhe Arben Gushi.

Të gjithë janë propozuar nga asambletë socialiste, por ata që nuk kanë mbështetjen e Bimes nuk kanë shanse që të përzgjidhen në instancat më të larta të PSSH-së, pasi ai, sipas mbështetësve të Tavos kontrollon me dorë të hekurt strukturat lokale të partisë. Deklarata e beftë e Tavos vjen në momentin kur kandidaturat janë dërguar për miratim në selinë qendrore të PSSH-së, e cila do të përzgjedhë dy ose tre kandidatët që më pas kryesia e zgjeruar e Rrethit të Gjirokastrës do t’i votojë për të zgjedhur kryetar njërin prej tyre.

Gjithë fushata e zgjedhjeve brenda radhëve të socialistëve gjirokastritë është shoqëruar me probleme pothuajse në komunat e këtij rrethi, pasi organizatat dhe asambletë e tyre socialiste nuk ishin mbledhur për të bërë propozimet e kandidaturave, por gjithsesi për opinionet e këtushme, Florian Hysi, i zgjedhur në krye të degës së PS-së vetëm për qytetin e Gjirokastrës në janar 2006, duke pasur edhe mbështetjen e Bimes, duket se kishte shanset më të mëdha për t’u zgjedhur edhe kryetar i rrethit. Vetëm disa orë pas publikimit të lajmit, përkrahës të Tavos dhe Bimes janë mbledhur veçmas njëri-tjetrit për të përgatitur reagimet në kundërshtim dhe në mbështetje të qëndrimit politik të Tavos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA