Barnat e rimbursueshme, jo cilësore dhe të lira

04/10/2010 08:00

Efekti i barnave me rimbursim në disa raste nuk është ai i duhuri dhe i pritshmi.

Madje një pjesë e barnave në listën me rimbursim janë jo cilësore. Të tilla deklarata kanë ardhur në këto katër vitet e fundit nga kreu i Shoqatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Ndërkohë që të njëjtën evidencë, për efekt të dobët të listës së barnave, cilësi të ulët dhe kosto të lirë, e ka dhënë edhe kreu i Shoqatës së Urologjisë, Flamur Tartari.

Sipas mjekut të qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, sidomos pacientët që vuajnë nga prostata kanë probleme me efektshmërinë e tyre. Duhet të jenë mjekët e qendrave shëndetësore dhe klinikave ata që të përcaktojnë trajtimin e pacientëve dhe jo mjekët e poliklinikave. Ndërkohë që, sipas kreut të Shoqatës së Urologjisë, Tartari, para se të miratohen alternativat që do të përfshihen në listën e barnave me rimbursim, duhet të merren parasysh sugjerimet, propozimet e mjekëve ekspertë dhe më pas të merret vendimi përfundimtar.

Shqetësimi për cilësinë e barnave me rimbursim është ngritur këtë herë nga Shoqata e Urologëve të Shqipërisë, pas ankesave te mjekët specialistë në spitalin “Nënë Tereza” kryesisht të pacientëve që vuajnë nga sëmundja e prostatës. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, këto barna janë më të lirat dhe nuk kanë efekte mbi sëmundjen. Tartari sqaron se Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor nuk duhet të lejojë dhënien e këtyre medikamenteve në qendrat shëndetësore, pasi kështu rrezikohet shëndeti dhe jeta e pacientëve.

Por nga ana tjetër, Kujdesi Shëndetësor sqaron se po zbatohet me përpikëri sistemi i referimit. Në prag të nisjes së punës për hartimin e listë së barnave me rimbursim, mjekët sugjerojnë që ISKSH të bashkëpunojë me shoqatat e shëndetit, si dhe të marrë miratimin e shefave të klinikave në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, para se të hartojë listat e medikamenteve apo të orientojë pacientët përmes urdhrave se ku duhet të mjekohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA