“Piramidat”, Greqia përfundon në Strasburg

03/10/2010 19:55

Me titull “Dy piramidat shqiptare çojnë në bankën e të akuzuarve Greqinë” gazeta greke ”To Vima” publikon lajmin se dy ish-firmat piramidale  “Vefa” dhe “Cenaj” kanë bërë padi kundër shtetit grek në Gjykatën Europiane të të Drejtave Njerëzore të Strasburgut.

Kërkesa e këtyre dy firmave që janë shpallur debitore, kanë të bëjnë me pasuri të sekuestruara dhe një shumë parash me vlerë nga 15 deri në 20 milion dollarë.

Ato qendrojnë aktualisht të bllokuara në bankat greke që iu referohen ligjeve ndërkombëtare për origjinën e tyre të paligjshme, me gjithë kërkesat e ripërsëritura të Tiranës zyrtare për riatdhesimin e këtyre parave të fajdeve të shqiptarëve.

Ajo çka gazeta komenton në mënyrë tepër të veçantë është fakti që përse kjo padi, mbeshtetet nga avokatura e shtetit shqiptar, e cila do të përfaqësohet si palë e tretë në proceset gjyqësore në Strasburg.
 
Madje shtohet që firmat shqiptare kanë  lidhur marrëveshje me  një studio ligjore greke dhe janë në kërkim edhe të një tjetre, duke premtuar 15% në rast fitimi të gjyqit.

Gazeta përmend faktin se në vitin 1997, kur falimentuan firmat piramidale në krye të shtetit shqiptar ndodhej përsëri kryeministri Berisha, nënvizon se priten edhe padi të reja ndaj shteteve të tjera si Italia, Austria, Hungaria dhe sidomos Turqia, duke kërkuar riatdhesimin e parave që janë çuar në këto vende në mënyrë të paligjshme.

Në artikull nuk mungojnë edhe komentet se ndoshta kjo padi është një lojë përshtypjesh për konsumim të brendshëm nga ana e qeverisë shqiptare, në mënyrë që qytetarët e mashtruar të harrojnë faktin që askush në vitin 1997 nuk i kishte mbrojtur, ndërsa falimentimi solli ditët më të errëta në historinë shqiptare të postkomunizmit, kur mbizotëroi ligji i kallashnikovëve dhe Shqipëria njohu valën më të madhe të emigrimit për arsye të shkatërrimit të ekonomisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA