Këto ditë skena e një prej sallave të Teatrit Shtetëror të Greqisë së Veriut në Selanik është shndërruar në një skenë pa kufij.

Krijues nga gadishulli ballkanik takohen dhe bëjnë publike tashmë, veprën e tyre që deri dje ishte e panjohur, përtej kufijve.

Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka folur shqip me shfaqjen Elektra të Sofokliot, në këtë krijim të skenës teatrore ndërballkanike “Kufij të Hapur”.

“Mbrëmë kam dëgjuar komplimentin më të bukur nga një bashkatdhetar: ‘Sofokliu foli shqip’. Është vertetë një nga rolet më të bukura të jetës sime. Të jesh pjesë e këtij festivali është bukur”, shprehet aktorja Luiza Xhuvani.

Me synim bashkëjetesën paqësore dhe progresin krijues midis popujve të vendeve të Ballkanit, Teatri Shtetëror i Greqisë së Veriut ka hapur dyert për teatrot më të mira të këtij gadishulli.

“Për herë të parë na jepet rasti të kemi një eksperiencë të tillë, të njohim çfarë është teatri shqiptar. Kjo është më e rëndësishmja, ndërsa bashkëpunimet midis dy teatrove, por edhe teatrove të tjera ballkanike, janë diçka që na intereson në veçanti dhe që do të luajë një rol të madh në mirëkuptimin midis dy popujve si dhe në bashkëpunimin e tyre”, është shprehur Makis Trikukis, kryetar i Këshillit Drejtues të TSHGV.

“Na emocionoi të gjithëve. Duartrokitjet e spektatorit dhe pjesëmarrja e shumtë e treguan këtë. Elektra e Sofokliut tingëllon gjithmonë aktuale aq më shumë në Greqi në gjuhën shqipe. Ishte një performancë e shkëlqyer që na dha shumë emocione”, theksoi ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi.

Në këtë konkteks bashkëpunimi ndërballkanik do të vijojë në aktivitete të tjera të përbashkëta midis të tjerash krijimi i një studioje krijuese me pjesëmarrjen e vendeve fqinje në Ballkan që do të ketë si qendër qytetin e Selanikut.

“Ishte një përfaqësim mjaft dinjitoz i Teatrit Kombëtar, në një festival që është ndër aktivitetet më të rëndësishme në Greqi dhe besoj që trupa e Teatrit Kombëtar paraqiti një pjesë të denjë të kulturës sonë kombëtare”, deklaroi Kristaq Skrami, drejtor i Teatrit Kombëtar.

“Elektra” shqiptare ka përcjellë mjaft emocion. Interpretimi tepër profesional i Luiza Xhuvanit, Roza Anagnostit, Laert Vasilit, Monika Lubonjës dhe aktorëve të tjerë ka korrur duartrokitjet e spektatorëve shqiptarë dhe grekë të pranishëm në sallë.

Pas Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në skenën e Selanikut ngjitet “Don Zhuani” i teatrit të Sofies dhe më pas tragjedia “Bacantes” e Euripidit nga trupa e Teatrit Kombëtar të Beogradit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA